
TIRANË- Kreu i Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi gjatë një takimi elektoral ka sulmuar kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Becin. Gjatë një takimi elektoral në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Doshi nuk e përmendi me emër, por iu adresua duke i përmendur postin që Benet Beci mban. Sipas Tom Doshit, fushatën e socialistëve në Shkodër nuk mund ta drejtojë një person që është nën hetim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
“Të vjen zor kur shikon gjysmën e qeverisë në burg dhe nën hetim. Shumë kush thotë pse po e sulmon qeverinë? Ne nuk mund ta marrim në mbrojtje, njerëzit që vjedhin qytetarët, nuk i përkasin Shqipërisë. Rasti tjetër, kryetari i bashkisë Shkodër është i pandehur, si mund të drejtojë fushatën një njeri që ka vjedhur qytetarët?!”, tha Tom Doshi. Por nuk dihet se përse sot i ka dalë kundër Becit. Gjatë zgjedhjeve lokale të 2023, kur PS fitoi për herë të parë në histori Bashkinë e Shkodrës, opozita e akuzoi PS se kishte bashkëpunuar me socialistët për të mundur Partinë Demokratike.
Vieë this post on Instagram
Vitin që lamë pas, kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci u paraqit disa herë në SPAK për t'u marrë në pyetje, madje pati aludime se ndaj tij ishte ngritur akuzë. Gazetarja Klodiana Lala bëri me dije asokohe se ndaj Becit kishte nisur një hetim pas sekuestrimit të telefonit të bashkëshortes së Evis Berberit, ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar. Sipas saj, ka patur komunikime që lidhen me Becin, pasi e shoqja e Berberit punonte në KESH, institucion që dikur drejtohej nga kryebashkiaku i zgjedhur i Shkodrës. Ndër të tjera, Klodiana Lala tha se Beci po hetohet për dy vepra penale; korrupsion dhe shpërdorim detyre. Por edhe pse vizitat e Becit në SPAK kanë qenë që në nëntor, deri më sot nuk ka pasur asnjë njoftim se ai është nën akuzë për veprat penale të lartpërmendura./ZËRI