DURRËS-Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka zhvilluar sot një takim me demokratët në Durrës. Takimit i janë bashkuar edhe Ilir Alimehmeti dhe Aulon Kalaja. Pak para takimit Salianji u shpreh për mediat se është shumë e rëndësishme që cilido prej politikanëve por sidomos ata të PD të kthehen tek njerëzit, tek kafet, tek takimet, tek bashkëbisedimet, për të bërë të mundur ringritjen e PD.
'Unë do të jem në cdo takim ku do të më kërkojnë demokratët për të ndarë mendimet se si PD të bëhet e fortë dhe të jetë alternative që e mund Edi Ramën dhe bëhet alternativë qeverisëse. Janë të gjithë në takim, struktura e PD, dy kryetarët e PD të zgjedhur, sekretari i degës dhe lista e personave më të votuar në Durrës. Qëllimi i çdo takimi është ringritja dhe zgjimi i PD. Interesi publik dhe sidomos opozitar i PD-së.”,- tha Salianji para takimit.
Ilir Alimehmeti, një nga figurat më të votuara në listën e hapur të PD-së, u shpreh nga takimi se duhet menduar për të mirën e opozitës, duke deklaruar se lëvizja dhe takimet e tyre janë një frymë e re për përmirësim brenda strukturave.
Ilir Alimehmeti: Po të jetë për mirë, në mandatin e katërt që zhvat Edi Rama — dhe e dimë shumë mirë si zbatohet dhe si thotë Edi Rama. Në një vit kur neve vërejmë se si, me një të rënë të lapsit, Belinda Balluku merr nga 50 milionë euro dhe në fund të ditës nuk dihet a është e sigurt për të kaluar aty apo jo. Nuk jemi mirë. Ne kemi nevojë që këtë regjim ta hedhim një orë e më parë. Shumë prej nesh mund të thonë që na hoqi të ardhmen tonë, por duhet të mendojmë edhe për fëmijët dhe nipërit tanë. Ne mendojmë që mund të bëjmë më të mirën e mundshme për PD. Kjo është një frymë për të përballuar çdolloj përpjekje, ideje, votuesi, simpatizant… Për të kuptuar si brenda strukturave duhet përmirësuar, duhet të flasim edhe me votuesit. E kam këtë vështirë dhe e njoh, ju e dini, jetoni me ta. Këtu ka edhe korrupsion moral. Të gjithëve brenda PD duhet t’i kujtojmë që është parti e lirë.
Ndërkohë, Salianji gjatë fjalës së tij tha se PD nuk po ndiqet as nga demokratët dhe as nga qytetarët. Ai u ka bërë thirrje demokratëve t’i bashkohen lëvizjes për ndryshim, që ka si qëllim kthimin e saj në një alternativë qeverisëse.
Ervin Salianji: Rizgjim i PD, sepse ju jeni heronjtë e PD, keni sakrifikuar dhe keni dhënë kontribut duke u përballur me autokraci dhe në këmbim s’keni kërkuar asgjë veç vëmendjes, e dëgjesës, e ndarjes së shqetësimeve që secili i ka për fuqizimin e PD. Demokratët janë duke thirrur, Shqipëria është duke thirrur, thirrjet e tyre s’duhen relativizuar dhe nuk duhen injoruar. Këto thirrje janë dhimbje që rëndojnë dhe duhet të rëndojnë në peshën e përgjegjësi të çdo politikani, e kam ndjerë këtë thirrje dhe përgjegjësia jonë duhet të jetë e qartë, PD duhet të përgatitet të udhëheqë ndryshimin që gjithë po presin ky ndryshim nis edhe nga kjo sallë si takim i parë që i zhvillojmë me demokratët, nga kjo energji që është e pashtershme në PD por që nuk i jepet mundësia. Na kanë gryer shpirtin, e di zhgënjimin, harresën dhe i di problemet nga listat e mbyllura. Kam reaguar dhe nga burgu. I di një pjesë të aleatëve pa peshë. Largimin nga realiteti i njerëzve. Mungesën e shpresës, mosdhënien e llogarisë dhe mosmbajtjen e takimeve e 7 muaj pas zgjedhjeve, dhe asnjë përgjegjësi. E ndiej dhimbjen e militantëve, që lufton por nuk dëgjohet. Demokratë janë lodhur, dhe kjo është vërteta he ne nuk duhet të ketë frikë që ti themi të vërtetat ashtu siç janë.
Takimi në Durrës, vjen pas mbledhjes së shumë komentuar të Salianjit 27 nëntor me më të votuarit në procesin e Primareve. Takimi ndezi pretendimet se një lëvizje e re brenda kësaj force politike po merr formë. Diskutimet kishin në fokus rikthimin e 'ADN-së' fituese të partisë, promovimin e meritokracisë, hapjen e strukturave dhe forcimin e besimit qytetar. Vetë kreu i PD, Sali Berisha i ka quatur takimet e Salianjit aktivitete për interesa personale, pasi sipas tij Partia Demokratike vepron mbi bazën e statutit dhe forumeve./ZËRI