TIRANË-Fundi i protestës të opozitës u shënua me tensione para kryeministrisë. Protestuesit hodhën molotovë para godinës, ku përveç zjarrit pati edhe të lënduar, ku një efektiv i policisë u plagos në këmbë. Gjithçka ndodhi pasi kreu i PD, Sali Berisha përfundoi fjalimin dhe u nis më këmbë drejt selisë blu. Një ndalesë e bëri para parlamentit, ku njoftoi se protestat do të zhvillohen edhe aty.
Para selisë së PD, Berisha njoftoi demostruesit se pikat ku do të zhvillohen protestat e radhës do të jetë kryeministria, do jetë parlamenti, por edhe Surreli. Këto pika, Berisha i konsideroi si qëndrat e krimit.
Sali Berisha: Një njohje të terrenit. Duhet të jenë të gjithë bashkëluftëtarët e mi. Bashkëluftëtarët e mi duhet të dinë të gjitha drejtimet se cilat do të jenë fushat e demonstratave dhe protestave të fuqishme të ardhshme. E thashë edhe njëherë, do jetë kryeministria, do jetë parlamenti, do jetë Surreli, se këto janë qëndrat e krimit. Ky parlament është i ndërtuar mbi farsën elektorale dhe është pushtuar komplet nga Edi Rama. Kryeministria është sot ndërtesë krimi të shëmtuar, të gjithanshëm, dhe Surreli, siç e patë ju, del me aferat më të paimagjinueshme, me pengmarrje dhe gjëra të tilla. Këto tre qendra do jenë në fokusin e popullit protestues. Me radhë. Me një fjalë, shpëtim nuk ka. Edi Rama është në rrethim, Edi Rama nuk ka shpëtim. Nuk jep dorëheqjen ai, do ta heqim ne.