TIRANË- Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk ka gjasa që të mblidhet sot. Edhe pse mbledhja u kërkua nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe zëra të tjerë opozitarë, sërish takimi duket i pamundur që të ndodhë. E njëjta kërkesë është bërë edhe nga sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.
Por burime për "Report Tv" kanë mësuar se Këshilli i Sigurisë Kombëtare, që drejtohet nga Presidenti Bajram Begaj, nuk do të mblidhet për shkak se të gjithë janë në terren për të monitoruar situatën e zjarreve. Mbetet që të çështja e takimit të lihet për t'u shqyrtuar në një moment të dytë.
Orët e fundit, situata po përkeqësohet edhe në Delvinë, pasi Ministria e Mbrojtjes njoftoi se tashmë zjarrfikësit janë në luftë edhe me flakët e një vatre të papritur që po shpërndahet me shpejtësi duke u favorizuar nga erërat e forta. Gjendja përshkruhet si kritike, pasi erërat e forta dhe temperaturat e larta e vështirësojnë punën e forcave zjarrfikëse. E vetmja zgjidhje është ndërhyrja nga ajri. Por duket se edhe kjo ndërhyrje nuk është e mjaftueshme për të shuar flakët apokaliptike që kanë pushtuar vendin./ZËRI