TIRANË- Kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje kritikëve për situatën e zjarreve në vendin tonë. Në një postim të bërë në rrjetin "X", Rama i ka kthyer përgjigje atyre që pyesin se përse vendi ynë nuk ka një flotë të posaçme për shuarjen e flakëve. Për kreun e qeverisë në këto momente të vështira, Shqipëria ka ndihmë nga aleatët e Bashkimit Europian apo dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Si shembull ka marrë fqinjët, Italinë dhe Greqinë që edhe pse me flotë të posaçme nuk i kanë ndaluar dot flakët.
"Pra, e thënë thjeshtë. Sa më shumë aq më mirë padiskutim, por prapëseprapë kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa, janë njësoj për të gjithë shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon (disa shumë më keq se ne meqë ra fjala) dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët,”-shkruan Rama ndër të tjera.
POSTIMI I PLOTË I RAMËS:
Ka shpërthyer një debat pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës, ndërkohë që ka ca llogari që duhen bërë dhe zjarret e ditëve të fundit nuk janë assesi çështje e një apo dy apo edhe tre avionësh! Dakord, mirë do ishte t’i kishim, por… Duke i siguruar të gjithë se kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, falë flotës sonë dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian apo Emiratet e Bashkuara Arabe, i ftoj të gjithë të ngrenë një pyetje: Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se ç’do vit tjetër kanë vallë mungesë avionësh?! Ja një informacion bazuar në referencat e vetë shtypit grek për Greqinë për shembull: Greqia ka një flotë ajrore totale prej 77 avionësh zjarrfikës; helikopterë janë pakashumë 20; automjete të tjera afërsisht 3,500 dhe zjarrfikëse të të gjitha llojeve e funksioneve. Pra, e thënë thjeshtë. Sa më shumë aq më mirë padiskutim, por prapëseprapë kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa, janë njësoj për të gjithë shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon (disa shumë më keq se ne meqë ra fjala) dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët.
Prej ditësh dy vatrat më aktive të zjarrit ku situata paraqitet e rëndë janë Delvina dhe Gramshi. Në Delvinë, zjarri është përhapur në rrethinat e qytetit, teksa nga ajri janë aktivizuar 2 helikopterë. Ndërsa në Gramsh situata vijon të jetë alarmante./ZËRI