Politikë

"Sulm për shkak të detyrës"/ KLGJ reagon pas akuzave të Berishës për Irena Gjokën

Berisha ka akuzuar gjyqtaren se ka ndërruar emrin nga Shpata në Gjoka dhe se është dëbuar nga Greqia për 12 vite nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

a.l
"Sulm për shkak të detyrës"/ KLGJ reagon pas akuzave
Irena Gjoka

TIRANË- Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar, pas akuzave publike të bëra ndaj gjyqtares Irena Gjoka. KLGJ me anë të një deklarate për mediat thotë se këto deklarime të përsëritura publike në media përbëjnë sulm ndaj gjyqtarëve për shkak të detyrës, duke synuar kompromentimin e pavarësisë së gjyqësorit, nëpërmjet përndjekjes mediatike.

Reagimi i KLGJ vjen pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ka akuzuar gjyqtaren se ka ndërruar emrin nga Shpata në Gjoka dhe se është dëbuar nga Greqia për 12 vite nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Po ashtu Mbrojtja e Berishës ka kërkuar vazhdimisht për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, me arsyetimin se është në konflikt interesi me ish-kryeministrin.

REAGIMI:

Këshilli i Lartë Gjyqësor, si organ i ngarkuar nga Kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit sa i përket deklaratave publike në media nga persona publik dhe mbrojtësve të tyre në procesin penal, të cilat në përmbajtjen e tyre cënojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e znj. Irena Gjoka, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Këshilli vëren me keqardhje se këto deklarime të përsëritura publike në media përbëjnë sulm ndaj gjyqtarëve për shkak të detyrës, duke synuar kompromentimin e pavarësisë së gjyqësorit, nëpërmjet përndjekjes mediatike.

Njëkohësisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se këto qëndrime jo vetëm që ndikojnë negativisht në besimin e publikut ndaj pushtetit gjyqësor por edhe krijojnë imazhin e gabuar mbi veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë ushtrimit të detyrës me synimin për t’i detyruar ata të japin vendime në kundërshtim me parimet e pavarësisë dhe paanësisë.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor thekson se avokatët në bazë të ligjit dhe kodit etik profesional, duhet të sillen me respekt, ndershmëri dhe integritet kundrejt gjykatës, në funksion të përfaqësimit të interesave të klientëve. Këshilli i Lartë Gjyqësor fton të gjithë aktorët të respektojnë gjyqtarët dhe impenjimin e tyre në forcimin e shtetit të së drejtës, pasi dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi apo ndërhyrjeje nga subjektet publike apo private.

Në respektim të dispozitave ligjore në fuqi, sjellim në vëmendje se mjeti ligjor për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë.

Fati i ish-kryeministrit është sërish në dorën e gjyqtares Irena Gjoka. Gjykata e Posaçme do të shqyrtojë më 4 mars kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha, për ndryshim të masës së sigurisë, heqjen e ‘arrestit shtëpiak’. Seanca pritet të mbahet në orën 11:00. Avokatët mbrojtës të ish-kryeministrit pretendojnë se Berisha nuk ka kryer asnjë shkelje në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Kërkesa për ndryshim mase pritet të shqyrtohet nga gjyqtarja Irena Gjoka.

Ndërkohë Gjyqtarja e Posaçme i ka deklaruar të tre mbiemrat në formularin e vetëdeklarimit të plotësuar më 24 prill 2016. Ajo thotë se mbiemrin Shpata e ka të vajzërisë, ndërsa më pas ka marrë mbiemrin e burrit të parë, Maneku dhe këtë aktualin, Gjoka, e ka nga martesa pasuese.

Ish-kryeministri ka kërkuar vazhdimisht përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështjen e aferës së privatizimit të Partizanit, ku Sali Berusha akuzohet për korrupsion. GJKKO e ka rrëzuar kërkesën e Berishës. Ndërkohë Irena Gjoka në 30 dhjetor i caktoi masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ nën akuzën e korrupsionit pasiv për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, kryedemoktarit Sali Berisha./ZËRI

Poll

MOS HUMB