
TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimet ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ceno Klosi. Sipas njoftimit të bërë nga SPAK, përmes një shkrese zyrtare për ‘Neës 24’, mësohet se Ceno po hetohet për disa vepra penale: korrupsion, shpërdorim detyre dhe mashtrim dhe falsifikim dokumentash. E gjitha mbi bazën e dy kallëzimeve të bëra nga Partia Demokratike. Njëra mban datën 3 korrik dhe tjetra 13 dhjetor të vitit të shkuar. Ndaj edhe SPAK ka vendosur bashkimin e dy procedimeve në një të vetëm.
“Mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga grupi parlamentar i subjektit politik Partia Demokratike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.259/2023 datë 13.12.2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike ”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”. Për të njëjtin fakt Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.83/2023 datë 03.07.2023, mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar gjithashtu nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”,"-njoftoi Prokuroria.
Më 23 dhjetor 2021, Klosi u emërua në krye të Tatimeve, duke zëvendësuar Delina Ibrahimaj. Më herët, ai ka punuar si drejtor ekonomik pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe së fundmi ishte drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve./ZËRI