
TIRANË- Krerët më të lartë të shtetit, presidenti Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe kryeministri Edi Rama zhvilluan sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Ata vendosën kurora me lule pranë Monumentit “Nënë Shqipëri” dhe u përkulën në nderim dhe respekt të sakrificës së dëshmorëve në 79-vjetorin e çlirimit të vendit.
Siç është bërë traditë në vitet e fundit, politika e përkujton e ndarë ditën e Çlirimit, pasi Partia Demokratike i feston në një ditë Pavarësinë dhe Çlirimin e vendit, në 28 Nëntor.
Shqiptarët kremtojnë sot 79 vjetorin e Çlirimit të Atdheut, njëkohësisht ditë kujtese e sakrificës sublime të mijëra të rinjve e të rejave që ranë heroikisht në emër të lirisë.
Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria ishte e pushtuar, fillimisht nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria u pushtua nga forcat gjermane.
Pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, qyteti i Shkodrës ishte i fundit që u çlirua.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët u radhitën në krah të koalicionit antifashist dhe zhvilluan luftë çlirimtare.
Përvjetorët e Çlirimit shënohen me homazhe tek përmendorja “Nënë Shqipëri” pranë Varrezave të Dëshmorëve.
/ZËRI