Politikë

A e mendon BE-ja seriozisht pranimin e anëtarëve të rinj? Rama për Financial Times: Shqipëria është në momentin më të mirë

Zyrtarët e Brukselit flasin për mungesën e progresit drejt përmbushjes së objektivave të përcaktuar prej kohësh, të nevojshëm për anëtarësim, veçanërisht në mbrojtjet kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, si dhe në rregullat e prokurimit publik.

F.I
A e mendon BE-ja seriozisht pranimin e anëtarëve të rinj? Rama
Edi Rama

TIRANË-Media prestigjioze “Financial Times” i ka kushtuar një artikull vendeve kandidate të cilat kanë nisur procesin drejt antarësimit në Bashkimin Europian, pjesë e cila është edhe Shqipëria. Për 13 vjet, klubi i kombeve të Bashkimit Evropian nuk ka pranuar asnjë anëtar të ri - dhe mes paqëndrueshmërisë gjeopolitike dhe konkurrencës midis fuqive të mëdha, presioni po rritet për të hapur përsëri portat. 

Liderët e vendeve kandidate kërkojnë përparim më të shpejtë në procesin e anëtarësimit, ndërsa disa qeveri të vendeve anëtare shqetësohen nëse strukturat aktuale të Bashkimit dhe opinioni publik në vendet e tyre janë gati për një zgjerim të ri.

Mali i Zi, vendi që konsiderohet më pranë anëtarësimit, ka përfunduar më shumë se gjysmën e reformave të kërkuara për hyrje në BE. Institucionet evropiane kanë nisur përgatitjet për hapat ligjorë të anëtarësimit, ndërsa vendi është përfshirë edhe në planet financiare të bllokut.

Ndërkohë, Ukraina dhe Moldavia kanë nisur negociatat zyrtare të anëtarësimit, ndërsa Shqipëria ka avancuar në procesin e reformave për afrimin me Bashkimin Evropian. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se vendi ndodhet në një moment të rëndësishëm në rrugën drejt BE-së.

“Ne kemi një rrugë të qartë drejt Bashkimit Evropian. Shqipëria është në momentin më të mirë në shumë aspekte”, është shprehur Rama për Financial Times.

Përveç Malit të Zi dhe Shqipërisë, edhe vende të tjera aspirante në Ballkanin Perëndimor, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova kanë bërë pak përparim vitet e fundit dhe në disa raste kanë bërë hapa prapa.

Brukseli po shqyrton ndryshime të gjera në procesin e pranimit që do të përfshinin integrim më gradual ndërsa vendet përparojnë. Të parë nga brenda si një mënyrë për t'u rritur në mënyrë të përgjegjshme dhe për të ndërtuar besim, këto propozime shihen nga disa kandidatë si një rrugë drejt një sistemi anëtarësimi me nivele që mund ta ngadalësojë procesin edhe më shumë.

Shumë vende kandidate tashmë po shmangin reformat jopopullore ose të pakëndshme, sepse nuk u besojnë premtimeve të Brukselit për shpërblime, ndërsa Brukseli i qorton ato për dështimin në miratimin e legjislacionit të nevojshëm. 

Marta Kos, komisionerja e zgjerimit të BE-së, thotë se shtimi i anëtarëve të rinj më parë shihej si një kompromis ekonomik, ku të sapoardhurit hapnin tregjet e tyre për anëtarët ekzistues në këmbim të investimeve në zhvillim që zgjeruan me shpejtësi PBB-në e tyre. Tani, ekziston një aspekt i spikatur i sigurisë dhe mbrojtjes. Mbulesa e sigurisë së Evropës është siguruar për breza me radhë nga NATO, por qëndrimi i ndryshueshëm i Trump ndaj aleancës ka bërë që shumë kryeqytete ta vënë në pikëpyetje paktin transatlantik të mbrojtjes. Ndërsa pak veta besojnë se klauzola e mbrojtjes së ndërsjellë e BE-së është analoge me Nenin 5 të NATO-s, blloku po e promovon veten si një strukturë alternative për të koordinuar politikën e sigurisë. Vendet kandidate, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Turqia, janë tashmë anëtare të NATO-s.

Për njerëzit në Ballkanin Perëndimor , vazhdimësia e punës si zakonisht nuk është më e mjaftueshme kur bëhet fjalë për anëtarësimin. Zyrtarët e Brukselit flasin për mungesën e progresit drejt përmbushjes së objektivave të përcaktuar prej kohësh, të nevojshëm për anëtarësim, veçanërisht në mbrojtjet kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, si dhe në rregullat e prokurimit publik. 

Pavarësisht gjithë shpresës dhe pritjeve në vendet kandidate , pyetja themelore mbetet: a është vetë BE-ja gati për anëtarë të rinj, pavarësisht nëse anëtarët e rinj janë gati për bllokun? Përkthyer dhe përshtatur nga ZËRI

Poll

MOS HUMB