DIVJAKË-Mbrëmjen e djeshme banorët e Divjakës u ngritën në protestë për të shtatën ditë radhazi, duke kundërshtuar draftin e Partisë Socialiste për Reformën Territoriale. Banorët me pankarta në duar 'Mos prekni Divjakën', kanë përsëritur kërkesën e tyre që bashkia e Divjakës nuk duhet të bashkohet me Lushnjen.
Ata u kanë kërkuar deputetëve të zonës, nga të dyja krahët politikë, që të mbështesin kërkesën që Divjaka të mbetet bashki. Ndërkohë në shenjë revolte protestuesit kanë djegur kartat e anëtarësisë së PS, një veprim i bërë më herët edhe nga banorët e Poliçanit.
View this post on Instagram
Në ditën e parë të protestës, edhe kryebashkiaku Josif Gorrea iu bashkua tubimit, duke kundërshtuar propozimin e Partisë Socialiste për Divjakën.
Protestat kundër reformës territoriale janë zhvilluar në të paktën 12 bashki deri më tani. Banorët kanë nisur peticionet dhe kërkojnë rishikimin e këtij drafti. Propozimi i Partisë Socialiste synon të ketë më pak bashki, por me territore më të mëdha, ku brenda tyre do të ketë qytete dhe njësi administrative që do të menaxhojnë më afër shërbimet për banorët. Sipas draftit, propozohet bashkimi:
-Fushë-Arrëz + Pukë → Bashkia Pukë
-Klos + Mat → Bashkia Mat
-Rrogozhinë + Kavajë → Bashkia Kavajë
-Dimal + Berat + Poliçan → Bashkia Berat
-Patos + Fier → Bashkia Fier
-Divjakë + Lushnjë → Bashkia Lushnjë
-Selenicë + Vlorë → Bashkia Vlorë
-Maliq + Korçë → Bashkia Korçë
-Këlcyrë + Përmet → Bashkia Përmet
-Memaliaj + Tepelenë → Bashkia Tepelenë
-Libohovë + Gjirokastër → Bashkia Gjirokastër
-Cërrik + Elbasan + Belsh → Bashkia Elbasan
-Prrenjas + Librazhd → Bashkia Librazhd