Politikë

A kanë darkuar së bashku? Berisha dhe Veliaj hedhin poshtë pretendimet, kryebashkiaku: Edhe në shkollë nuk përziheshim

Deklaratën e Ylli Rakipit e kanë 'rrëzuar' si Veliaj, ashtu edhe Shkëlzen Berisha.

k.m.
A kanë darkuar së bashku? Berisha dhe Veliaj hedhin poshtë
Shkëlzen Berisha dhe Erion Veliaj

TIRANË- Një deklaratë e bërë nga moderatori Ylli Rakipi lidhur me një takim mes Shkëlzen Berishës dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj ka ngjallur reagim në rrjet. Gjatë emisionit të tij, "Të paekspozuarit", Rakipi tha se kishte gjetur në një restorant duke darkuar djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha me kryebashkiakun socialist.


"E kam takuar (Veliajn) në një vend ku hamë makarona, mbeta i shashitur. E gjeta me Çimin, Çim Pekën dhe me Shkëlzen Berishën. Vajta dhe unë. Mbeta shumë i habitur,"-tha Rakipi.

Menjëherë pas publikimit të lajmit, fillimisht ishte djali i ish-kryeministrit Berisha, i cili hodhi poshtë ato çfarë tha gazetari Rakipi në emisionin e tij.

“Në respekt të vërtetës dhe të opinionit me duhet të sqaroj se nuk jam takuar kurrë me personin në fjalë askund dhe asnjëherë. Me Erion Veliajn me lidh vetëm neveria ndaj shpifjeve të adresuara nga ai ndër vite, ndaj meje, fëmijëve dhe familjarëve të mi,”- shkruante Shkëlzen Berisha në rrjetin e tij social.

Reagimi i plotë i Shkëlzen Berishës:

Sot lexova për një trillim të përcjellë në një studio televizive për gjoja një takim timin me Erion Velinë para shumë vitesh. Së pari sado qesharak pretendimi, në respekt të vërtetës dhe të opinionit më duhet të sqaroj se nuk jam takuar KURRË me personin në fjalë ASKUND dhe ASNJËHERË. Me Erjon Velinë me lidh vetëm neveria ndaj shpifjeve të adresuara nga ai ndër vite, ndaj meje, fëmijëve dhe familjarëve të mi. Së dyti pavarësisht neverisë ndaj personit në fjale, dëshiroj që emri im të mos përdoret si instrument në luftën e brendshme të grupeve e klaneve në pushtetin e kalbëzuar të Edi Ramës, që sot e gjithë ditën, helmojnë dynjanë duke spiunuar e shpifur për njëri-tjetrin! Së treti ky sqarim bëhet dhe për ata pseudo opozitarë që mungesën ULËRITËSE të reagimit ndaj vjedhjes se 160 milionë eurove në aferat e inceneratorëve dhe kompanisë 5D, kërkojnë dëshpërimisht ta fshehin e justifikojnë pas çdo trillimi e shpifje për të bërë opozitën e opozitës për llogari të pushtetit.

Ndërsa lidhur me lajmin, në "Breaking", ka reaguar sot edhe kryebashkiaku Veliaj, i cili gjithashtu e përgënjeshtroi takimin me kundërshtarin politik të të atit.

“Me Shkëlzen Berishën mund të jem shkëmbyer për herë të fundit kur kemi qenë gjimnazistë. Ai ishte një vit mbi mua. Që atëherë kam kuptuar se njeriu, që në adoleshencë fillon të kuptojë kush di të qeverisë keq dhe mirë. Edhe atëherë, në shkollë, nuk përziheshim as në oborr pasi familja ishte damkosur që solli problemet me piramidat dhe shkatërrimin e vendit,”- tha Veliaj./ZËRI

Poll

MOS HUMB