Politikë

Ahmeti letër liderëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë: Po rrezikohen arritjet historike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut

Kreu i BDI ka shprehur shqetësimin e tij të thellë për zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, që rrezikojnë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet e barazisë dhe stabilitetit në shtetin shumëetnik. Kreu i BDI ka shprehur shqetësimin e tij të thellë për zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, që rrezikojnë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet e barazisë dhe stabilitetit në shtetin shumëetnik.

I.F
Ahmeti letër liderëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë:
Ali Ahmeti

SHKUP- Kreu i Bashkimit Demokratik, Ali Ahmeti ka dërguar letra drejtuesvë të lartë shqiptarë dhe ndërkombëtare për “mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe stabilitetit dhe harmonisë ndëretnike që ajo ka ndërtuar”.

Ahmeti iu ka drejtuar letër, Presidentit dhe Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj dhe Edi Rama, Presidentes dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Kancelarit gjerman Olaf Scholz, Presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA-së Antony Blinken.

Kreu i BDI ka shprehur shqetësimin e tij të thellë për zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, që rrezikojnë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet e barazisë dhe stabilitetit në shtetin shumëetnik.

“I nderuar Z. Edi Rama,

Kryeministër i Republikës së Shqipërisë,

Ju shkruaj sot me shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, të cilat rrezikojnë arritjet historike të Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet themelore të barazisë dhe paqes në shtetin tonë shumëetnik, e veçanërisht për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Planet e trishta, edhe atë çuditërisht të paralajmëruara nga Qeveria e vendit, se Gjykata Kushtetuese pritet të shfuqizojë dispozitat kryesore të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, që bën gjuhën shqipe një gjuhë zyrtare të barabartë sipas Amandamentit 5 të Kushtetutës, përbëjnë një goditje të rëndë mbi Marrëveshjen e Ohrit, barazinë, harmoninë ndëretnike dhe stabilitetin në vend.

Për më tepër, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të ndaluar identifikimin e përkatësisë etnike të qytetarëve në institucionet shtetërore shkel parimin e të drejtave kolektive të komuniteteve etnike, dhe për rrjedhojë anulon edhe instrumentet kryesore të balancuesit dhe të mekanizmit të Badenterit, të cilët ishin në thelb të Marrëveshjes së Ohrit. Ky mekanizëm është krijuar për të garantuar të drejtat kolektive të komuniteteve etnike sipas realitetit demografik, duke siguruar një mbrojtje themelore ndaj çdo mbizotërimi. Gjykata kushtetuese duke eliminuar deklarimin e përkatësisë etnike shkel vetë Kushtetutën, ku si vlerë themelore të saj ka përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, dhe se na kthen në gjendjen para arritjes së Marreveshjes Paqësore të Ohrit.

Së fundmi, pas zgjedhjeve të fundit, parimi themelor i Marrëveshjes së Ohrit, që kërkon formimin e një shumice politike bazuar në përfaqësimin e drejtë të komuniteteve etnike, është shkelur rëndë. Ky veprim nuk ka të bëjë vetëm me BDI-në, por prek parimin e përfaqësimit të drejtë, i garantuar nga Amandamenti 6 i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, dhe qëndron si një mekanizëm mbrojtës për të parandaluar mbizotërimin e shumicës ndaj joshumicës.

Këto tre goditje të mëdha ndaj themeleve të Marrëveshjes së Ohrit përbëjnë një kërcënim serioz për paqen, stabilitetin, harmoninë ndëretnike dhe demokracinë multietnike në Maqedoninë e Veriut. Këto nuk janë thjesht çështje të brendshme politike, por kanë pasoja të rënda për rajonin dhe për stabilitetin e tij. Këto ndërhyrje kërcënojnë të zhdukë elementet kyçe të paqes dhe të barazisë, duke na kthyer në kushtet e para vitit 2001, që ishin shkaktarët e krizës dhe luftës së atij viti.

Në këtë moment kritik, ju bëj thirrje për veprim të përbashkët dhe të vendosur për të mbrojtur arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtat e garantuara të shqiptarëve. Angazhimi juaj për të sensibilizuar partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet relevante për këtë krizë kushtetuese dhe politike është i domosdoshëm.

Ju falënderoj për përkushtimin tuaj të palodhshëm ndaj çështjeve shqiptare dhe stabilitetit të rajonit.

Me nderime të larta dhe respekt,

Ali Ahmeti

Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim”, shkruhet në letër.

Gjykata Kushtetuse e Maqedonisë së Veriut ende nuk ka vendosur nëse gjuha shqipe do të jetë ende gjuhë zyrtare. Ky vendim i saj ka shkaktuar debate të ashpra në Kuvend. Reagime të ashpra kanë ardhur nga koalicioni VLEN dhe partitë shqiptare në bashkëqeverisje me VMRO, të cilët e kanë cilësuar këtë iniciativë si tentativë për grusht shteti. Opozita shqiptare, përfshirë BDI dhe Aleancën për Shqiptarët, ka bërë thirrje të mos preket statusi i shqipes. 

Agjencia për Zbatimin e Ligjit për Gjuhët e Pakicave e ka cilësuar iniciativën si një veprim me karakter politik dhe nacionalist që rrezikon tensione dhe konflikte të reja. Ligji për dygjuhësinë, i miratuar në vitin 2018, parashikon përdorimin e gjuhës shqipe në nivel kombëtar, përfshirë institucionet shtetërore dhe komunat me të paktën 20% të popullsisë shqiptare. /ZËRI

Poll

MOS HUMB