
TIRANË-Prokuroria e Tiranës ka rrëzuar një kallëzim të bërë prej deputetes së PD, Albana Vokshi e cila pretendonte se disa zyrtarë të qeverisë dhe të bashkive të ndryshme kishin kryer krim elektoral gjatë një takimi të zhvilluar me emigrantët në Greqi.
Në denoncimin e dorëzuar, Vokshi pretendonte se një grua e cila hiqej si përfaqësuese e KQZ, regjistronte emigrantët për qëllime të PS lidhur me zgjedhjet e 11 majit në prezencë të zyrtarëve socialistë si: Ogerta Manastirliu-ministre e Arsimit, Belinda Balluku-ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, njëkohësisht zv/kryeministre, Armando Subashi-kryebashkiak i Fierit, Eriselda Sefa-kryebashkiake e Lushnjës, Majlinda Bufi-kryebashkiake e Roskovecit.
Fillimisht Vokshi kishte kallëzuar në SPAK, por në fund të muajit prill Prokuroria e Posaçme ia kishte kaluar për kompetencë Prokurorisë së Tiranës, pasi nuk ishin gjetur element të ‘përdorimit të funksionit publik’ për qëllime elektorale apo ‘shpërdorimit të detyrës’. Pas më shumë se një muaji verifikime të rastit nëpërmjet pamjeve dhe shkresave dokumentare, nuk u gjetën element të veprës penale të “përvetësimit të titullit apo detyrës shtetërore”, të parashikuara nga Neni nr. 246 i Kodit Penal.
Nga ana e saj KQZ ka kthyer përgjigje se nuk ka asnjë zyrtar të saj në terren që bën regjistrim emigrantësh dhe këto regjistrime nuk bëheshin fizikisht, por vetëm online në faqen e KQZ, e hapur posaçërisht për procesin.
Kjo ka rrëzuar pretendimet për konsumimin e veprave penale në lidhje me regjistrimin e emigrantëve nga PS me qëllime elektorale, me ndikim të zyrtarëve.
Sipas Prokurorisë nuk ekzistojnë kushtet e nevojshme për nisjen e procedimit penal pasi nuk provohet që të ketë patur krim elektoral./ZËRI