Politikë

Arrestimi i Malltezit dhe akuzat ndaj Berishës, jehonë dhe në mediat ndërkombëtare

"Lufta kundër korrupsionit ka qenë thembra e Akilit e Shqipërisë postkomuniste, duke ndikuar fuqishëm në zhvillimin demokratik, ekonomik dhe social të vendit"

E.K
Arrestimi i Malltezit dhe akuzat ndaj Berishës, jehonë dhe në
Sali Berisha, foto e AP

TIRANË- Arrestimi i Jamarbër Malltezit dhe vënia nën akuzë e Sali Berishës për korrupsion dhe pastrim parash, ka qënë një nga zhvillimet më interesante që ka prodhuar aktualiteti politik dhe gjyqësor në muajt e fundit, ndërkohë që prej orësh është lajmi kryefjalë në mediat shqiptare dhe jo vetëm. Akuzat për Berishën janë pasqyruar dhe në disa prej mediave ndërkombëtare, siç është dhe Associated press, e cila shkruan se Berisha, 79 vjeç, tha se prokuroria e ngarkuar me çështjet kundër zyrtarëve të lartë apo çështjet kryesore, e urdhëroi atë të mos largohej nga vendi.

Berisha tha gjithashtu se dhëndri i tij, 50-vjeçari Jamarber Malltezi, u arrestua me të njëjtat akuza në aeroportin e Rinasit. Berisha tha se ai dhe Malltezi janë të pafajshëm, vazhdon shkrimin AP.

“Për këto akuza unë deklaroj se janë absolutisht pa asnjë bazë dhe akuza të pastra dhe tërësisht politike nga (kryeministri aktual) Edi Rama”, tha ai në një konferencë për shtyp të shtunën vonë. Rama nuk iu përgjigj menjëherë pretendimit të Berishës.

Shkrimi vijon:

“Zyra e Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pretendon se dhëndri i Berishës ka shfrytëzuar pozicionin e Berishës si kryeministër për të privatizuar tokën në Tiranë në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes të vendit dhe ia ktheu pronarëve të saj të mëparshëm, të cilët e shitën menjëherë me një çmim të ulët. Përfituesi i saj ka qenë Malltezi, i cili ndërtoi apartamente në truall.

Akuzat vijnë tre vjet pasi ministri i Brendshëm Taulant Balla, në atë kohë kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në pushtet, dërgoi në prokurori një dosje me akuza kundër Malltezit dhe Berishës. Berisha shërbeu si kryeministër i Shqipërisë nga 2005-2013 dhe si president nga 1992-1997. Ai u rizgjodh si ligjvënës i Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të prillit 2021.

Në maj të vitit 2021, qeveria amerikane ndaloi Berishën dhe familjen e tij të ngushtë të hynin në vend për shkak të përfshirjes së dyshuar në korrupsion. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se gjatë mandatit të Berishës si kryeministër 2005-2013, politikani ishte përfshirë në akte korruptive dhe kishte përdorur “pushtetin e tij për përfitimin e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”.

Blinken akuzoi gjithashtu Berishën për ndërhyrje në “hetimet e pavarura, përpjekjet kundër korrupsionit dhe masat e llogaridhënies”. Ai tha se “aktet korruptive të Berishës minuan demokracinë në Shqipëri”. Që atëherë, Partia Demokratike e Berishës është në trazira me fraksione të ndryshme që luftojnë për udhëheqjen e partisë dhe regjistrimin ligjor.

Lufta kundër korrupsionit ka qenë thembra e Akilit e Shqipërisë postkomuniste, duke ndikuar fuqishëm në zhvillimin demokratik, ekonomik dhe social të vendit. Berisha ishte zyrtari i katërt i lartë shqiptar që iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes së dyshuar në korrupsion". 

Edhe prestigjozja britanikeThe indipendent’, ka pasqyruar vënien nën akuzë të Berishës, teksa citon lajmin e AP.

Jamarbër Malltezi u vu në pranga pasditen e djeshme në Rinas, ndërsa ndaj ish-kryeministrit Berisha është caktuar masa 'detyrim paraqitje' dhe ndalimi i daljes nga Shqipëria. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e hetoi Malltezin për pastrim parash, pas kallëzimit të bërë nga Taulant Balla, aktualisht ministri i Brendshëm.

Balla, asokohe kreu i grupit parlamentar të PS, kallëzoi për shpërdorim detyre ish-kryeministrin Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministri Arben Imami. Ata akuzohen në lidhje me privatizimin e rreth 10.000 m2 të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në afërsi të zonës së 21 Dhjetorit, truall i cili para vitit 2008 ishte në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Zëri.ai

Poll

MOS HUMB