
TIRANË- Avokatët e Sali Berishës kanë mbërritur në Kryesinë e Kuvendit, ku diskutohet sot mbi kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-kryeministrit. Genc Gjokutaj, do të jetë ai që do të bëjë mbrojtjen e Berishës, në një kohë që vetë ish-kryeministri ka zgjedhur që të mos jetë i pranishëm në mbledhjen e sotme.
Vetë Berisha e cilësoi antiligjore rrugën e ndjekur nga SPAK, duke nënvizuar se Kuvendi do të shqyrtoje një kërkesë bazuar në anti-kushtetueshmëri.
“Me qëllim, për t’i dhënë një zgjidhje ligjore, që është e pamundur në këtë narkorepublikë, grupi parlamentar iu adresua Gjykatës Kushtetuese jo për Sali Berishën, por iu adresua Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur pushtetin e parlamentit. Imuniteti i deputetit është mbrojtje për parlamentin dhe funksionimit të tij.
Grupi parlamentar iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për t’i treguar vendin atyre që mund të mendojnë të rrëmbejnë një pushtet që nuk e kanë. Në këto rrethana, Edi Rama dhe larot e tij, vrapuan drejt parlamentit për t’i kërkuar zëvendësimin e masave antikushtetuese që kanë dhënë ndaj meje me masa më të rënda, arrestin me burg ose arrest shtëpie.
Ky është një poshtërim i parlamentit. Kjo është shpallja e tij një zyrë legalizimi e veprimeve të paligjshme, një zyrë amnistie për aktet e paligjshme, zyrë noterie.
Ndaj dhe unë sot nuk mund të ndodhesha kurrë në atë komision, të pranoja një poshtërim publik të tillë të institucionit, që me Kushtetutë është institucioni qendror i republikës parlamentare.
Sot ne nisim betejën në rrugë, e transpozojmë atë nga parlamenti në rrugë. Do vazhdojmë në parlament”, tha Berisha.
Ish-kryeministri pranoi se ata që do ta mbështesin sot përmes një protestë janë të paktë, duke e cilësuar një grup modest, duke bërë thirrje që në të ardhmen ata të jenë më shumë ashtu asikur nisi beteja e opozitës para 2005-ës.
/ZËRI