Politikë

Balla prezanton kreun e ri të AMP, i jep detyrën e parë: Verifikim për aplikacionet e koduara

Balla në fjalën e tij deklaroi se policia duhet të hyjë në fazën e vetëpastrimit, duke shtuar se ky proces duhet të kalojë në një tjetër nivel.

D.XH

Balla prezanton kreun e ri të AMP, i jep detyrën e parë:
Taulant Balla

TIRANË – Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka prezantuar gjatë ditës së sotme, kryetarin e ri të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Ashtu siç e paralajmëroi ZËRI.ai, në krye të AMP do të jetë Florian Sulejmani, që zëvendëson në këtë post Ardi Veliun. Balla në fjalën e tij deklaroi se policia duhet të hyjë në fazën e vetëpastrimit, duke shtuar se ky proces duhet të kalojë në një tjetër nivel.

"E vlerësoj maksimalisht punën e deritanishme së bashku me ju, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka referuar pranë SPAK dhe Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm mbi 200 raste për rreth 300 subjekte, ndër ta gati 260 oficerë policie, me masa që variojnë nga arrest në burg deri tek pezullimi nga detyra.  Besoj pas 130 ditëve së bashku më keni dhënë të drejtë për çfarë i thashë drejtuesve të Policisë së Shtetit, ditën e parë në detyrë. Një rrënjë kanabisi e ka një shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi e ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur. Sa nga këta 260 punonjës policie keni arrestuar apo proceduar si të përfshirë apo mos-veprim ndaj kultivimit të lëndëve narkotike. Nuk i vë në diskutim këtu rezultatet e agjencisë, të kuptohemi qartë. Në këto 4 muaj e pak së bashku kam vlerësuar rritjen dita ditës së forcës goditëse. Po ama nuk mund të mos vë në diskutim faktin se pas statistikave të saj qëndron e vërteta se janë goditur shumë keqbërës me grada të ulëta ndërsa fare pak me grada më të larta. Besoj se jemi të gjithë dakord, bashkë me pritshmëritë e publikut, se ka ardhur momenti ta ngremë në një nivel të ri dhe standard më të lartë procesin e vetëpastrimit të Policisë së Shtetit, dhe të subjekteve të tjera ndaj të cilëve ushtron mbikëqyrje AMP-ja, siç janë Garda e Republikës dhe Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi. Siç e kam thënë: lufta kundër korrupsionit nuk nis nga jashtë nesh, por së pari brenda nesh", tha Balla.

Gjithashtu, ministri Taulant Balla theksoi se ka kërkuar verifikim për aplikacionet e koduara dhe se ato duhet të paraqiten në formularet e vetëdeklarimit.

"Komunikimet në aplikacionet e koduara që implikojnë oficerë të Policisë së Shtetit janë dëshmi e qartë e nevojës për një punë intensive e pa kompromis të AMP-së, për të luftuar krimin dhe paligjshmërinë brenda radhëve të Policisë së Shtetit, dhe për t’i dhënë dinjitetin dhe respektin e merituar në shoqëri kësaj organizate, që ka në gjirin e saj  qindra e mijëra të rinj e të reja që punojnë me dedikim, pasion e profesionalizëm krah qytetarëve. Sa i përket fenomenit të aplikacioneve të koduara, kam kërkuar që verifikimi i përdorimit të këtyre aplikacioneve nga punonjësit e policisë të jetë pjesë e formularit të vetë-deklarimit të kryer nga çdo punonjës e që, në rast deklarimi të rremë, do të pas-sjellë përjashtimin përfundimtar të tij nga radhët e policisë", u shpreh më tej Balla.

Ndërsa, Florian Sulejmani u shpreh se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nevojë për ridimensionim. “AMP ka nevojë për një ridimensionim në filozofi, profesionalizëm dhe në koncept, pasi është një hallkë e rëndësishme e zinxhirit ligjor, për të parandaluar përfshirjen e punonjësve të Policisë së Shtetit, me ose pa dashje, në veprimtari antiligjore. Ne do të përgatisim një modelar, një template të një formulari, ku çdo punonjës policie do të vetëdeklarojë pasjen në aksen në aplikacionet Sky Ecc dhe Encro. Nëpërmjet kryqëzimeve të informacioneve që ne do të marrim, do të evidentojmë të gjithë ata punonjës policie, që kanë qenë pjesë e këtyre aplikacioneve”, tha Sulejmani.

Ministri Balla u shpreh se Florian Sulejmani ka një eksperiencë të gjatë pune, ka kaluar me sukses procesin e vlerësimit kalimtar, si dhe ka njohuri të thelluara për fushën e policisë./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB