
TIRANË- Rrogat e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë u rritën dhe bashkë me to dhe shpërblimet e majme nga dietat, shpenzimet e karburantit, telefoni dhe qiratë. Zëri.ai ka zbardhur pagesat për deputetët dhe shpërblimet e tyre të publikuara nga Kuvendi për muajin shtator.
Ajo që bie në sy është fakti se ligjvënësit e Shqipërisë kanë marrë më shumë para nga dietat e shpërblimet se nga paga e tyre, tashmë e dyfishuar. Në faqen zyrtare Kuvendi ka publikuar të dhënat që lidhen me shpenzimet e deputetëve. Nga radhët e Partisë Demokratike, deputeti më me "fat" është Saimir Korreshi, i cili për muajin shtator ka përfituar plot 400 mijë lekë të reja ose 4 milionë lekë të vjetra shpenzime për dietet, karburant, qira dhe telefon. E ndjekin nga pas Luan Baçi dhe Sorina Koti.
Dhe kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi nuk rënditet "keq". Për muajin shtator mbi pagën e deputetit ai ka përfituar 300 mijë lek të reja dieta dhe shpenzime që lidhen me telefonin, qiranë dhe karburantin. Ose 3 milionë lekë të vjetra. Pavarëssht se në Kuvend që pas "ndarjes" së PD, nuk është shumë aktiv, Arbi Agalliu ka përfituar mbi 350 mijë lekë të reja dieta dhe përfitime që i rrjedhin nga mandati.
Ndërsa nga socialistët, Fadil Nasufi, ish-kryebashkiaku i Beratit ka përfituar mbi 3 milion lekë të vjetra dieta dhe shpenzime që lidhen me punën e tij si deputet. Tatiana Nurçe ka marrë për muajin shtator mbi 350 mijë lekë të reja dieta. Deputetja e Dibrës Aurora Mara ka përfituar 360 mijë lekë të reja para nga dietat dhe shpërblimet parlamentare mbi pagën e saj si deputete.
Po ashtu shpërblime të majme kanë përfituar dhe deputetët që në Kuvend ka zgjedhur të mbajnë një profil të ulët si Gëzim Ardenaj, Anduel Tahiraj, Denis Delia, Niko Kuri, Nusret Avdulla apo Mirela Pitushi. Ndërkohë, Orjela Nebiaj, Etilda Gjonaj, Agron Shehaj, Sali Berisha, Lulzim Basha, Milva Ekonomi dhe Bujar Leskaj kanë qenë deputetët që kanë përfituar më pak nga shpërblimet dhe dietat duke mos i kaluar 50 mijë lekë të rinj.
Ne total në llogarinë e Kuvendit kanë për dietat, shpërblimet, udhëtimet, qiratë, karburantin, telefonin dhe pjesëmarrjen në punët e Komisioneve Parlamentare kanë kaluar nga buxheti i shtetit plot 290 milionë lekë.
Ndërkohë sa i përket pagave, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kanë përfituar rritjen e pagave të miratuar në maj të këtij viti, ku vetë ata ngritën kartonat jeshil për dyfishimin e pagave të tyre. Në total Kuvendi ka kaluar në llogaritë e deputetëve 286 milionë lekë./Zëri.ai