Politikë

Bashkimi i PD/ Dashamir Shehi i ashpër ndaj Bardhit: Teatër!

Sipas Shehit, ka ardhur koha për të hapur një shteg të ri opozitar, ndërsa atë që po ndodh në kampin opozitar e cilësoi si llogore.

E.K
Bashkimi i PD/ Dashamir Shehi i ashpër ndaj Bardhit: Teatër!
Dashamir Shehi dhe Gazment Bardhi

TIRANË- Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar Dashamir Shehi, i cili mori mandatin e deputetit në Tiranë në listën e Partisë Demokratike e sheh si teatër bashkimin e Gazment Bardhit me Sali Berishën. Sipas Shehit, ka ardhur koha për të hapur një shteg të ri opozitar, ndërsa atë që po ndodh në kampin opozitar e cilësoi si llogore.

Dashamir Shehi: Nuk është çudi që nesër të dalin përsëri nëpër llogore të tjera. Opozita shqiptare duhet të hyjë me alternativa të tjera, duhet të hapë debat të brendshëm brenda vetes. Nuk mund të bëjmë më teatër me qytetarët e Shqipërisë. Unë dhe disa kolegë të mitë mendojmë se ka ardhur koha të hapim një shteg të ri opozitar. S’mund të vazhdojmë më me këtë llogore. Ka ardhur dita që opozita të mos jetë më pas individëve por brenda një platforme politike, jo e imja por e shumë zotërinjve të tjerë. Unë jam për të hyrë në parlament.

Dashamir Shehi, duket se i ka ndarë përfundimisht rrugët poliitke me Sali Berishën, por dhe me Lulzim Bashën. Për kreun e LZHK-së, Berisha dhe Basha janë e njëjta ‘’monedhë’’. Deklaratat i bëri i ftuar në "Report Tv". 

Dashamir Shehi: Shumë pyetje e rëndomtë. Unë nuk jam as me Bashën e as me Berishën, ne jemi më vete. S’na e japin këta certifikatën se kush është opozitar. Nuk jam as me njërin as me tjetrin. Shpresoj të dalë një grup i ri, sepse këto ishin. Berisha dhe Basha janë e njëjta monedhë, ndaç ktheje kështu ndaç ashtu 10 lekë bën monedha. Hajde të ndërtojmë një rrugë të re, u bëj thirrje të gjithë deputetëve.

Dashamir Shehi mungoi në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ndryshim të mbajtur në selinë e PD, për herë të parë që pas ndarjes së madhe dy vite më parë. Mbledhja u drejtua nga Gazment Bardhi. Prej kohësh Shehi ka qenë kritik për situatën në PD dhe kampin opozitar./ZËRI

Poll

MOS HUMB