
TIRANË- Shkodra bastioni i humbur nga demokratët në zgjedhjet e 14 majit do të jetë dhe bashkia nga ku do të nisë bashkimi i Partisë Demokratike në bazë. Kjo lëvizje vjen pas mbledhjes së grupit parlamentar një ditë më parë në selinë e PD, nën drejtimin e Gazment Bardhit, “ithtarit” të dikurshëm të Sali Berishës që dje u kthye në shtëpi. Dhe pse Sali Berisha mungoi për shkak se ndodhet në arrest shtëpie, por nuk humbi detajet nga mbledhja pasi u fut online.
Raportohet se Shkodra do të jetë ndalesa e parë e Gazment Bardhit dhe Flamur Nokës, ku do të nisin takimet me demokratët në bazë e ku në fokus do të jetë protesta kombëtare e 20 shkurtit e thirrur në Tiranë nga Sali Berisha.
Noka dhe Bardhi më pas do të ndalën në Malësinë e Madhe dhe Vaun e Dejës, bashki të “dorëzuara” tek e majta më 14 maj, pasi kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, një prej të cilëve Zef Hila, i cili ‘’dogji’’ dhe mandatin e deputetit nuk arriti fitoren në Vaun e Dejës.
Ndërkohë takimet do të vijojnë në Korçë e Elbasan. Në këtë mënyrë, Gazment Bardhi do të tregojë para bazës se tashmë bashkimi i tyre nuk është vetëm në axhendën parlamentare, por dhe jashtë saj. Protesta e 20 shkurtit u thirr nga Sali Berisha dhe pritet të ketë një mobilizim të opozitës. Këtë e bëri të qartë Noka dhe Paloka një ditë më parë, të cilët kërkuan nga anëtarët e Këshillit Kombëtar zbritjen në bazë dhe mobilizimin e popullit.
Sali Berisha, i cili ndodhet nën masën e sigurisë “Arrest me burg”, dhënë nga Gjykata e Posaçme pritet ta ndjekë online, protestën para Kryeministrisë, ndërsa nuk dihet ende nëse do të jetë një fjalë të tij, virtualisht për demokratët./ZËRI