
TIRANË- Sali Berisha dhe Gazment Bardhi, të cilët janë bashkuar së fundmi në një “front” të vetëm, do të përballen me një tjetër “betejë”, këtë të herë jo për vulën dhe logon e Partisë Demokratike, të cilat janë në dorën e Lulzim Bashës, por dhe me probleme financiare. Paratë e buxhetit të shtetit të cilat priten të shpërndahen nga Komisonin Qëndror i Zgjedhjeve për vitin 2024 do të shkojnë në arkën e Lulzim Bashës, i cili drejton Partinë Demokratike zyrtare.
Kështu, Berisha dhe Bardhi, të cilët tashmë janë së bashku në selinë blu, do të kenë në dorë çelësat e selisë, por jo arkën e saj. Në listën e KQZ-së pjesën më të madhe do ‘’tortës’’ do e marrë Partia Socialiste, e cila në zgjedhjet e fundit mori 74 mandate.

Selia rozë, do të përfitojë nga buxheti i shtetit më shumë se 151 milionë lekë. PD zyrtare do të marrë mbi 100 milionë lekë, ndërsa Partia e Lirisë, e cila në zgjedhjet e vitit 2021 nuk mori më shumë se 4 mandate do të marrë më mbi 15 milionë lekë.
Ndërkohë Partia Social Demokrate e Tom Doshit, për vitin 2024 do të ketë në arkë mbi 12 milionë lekë nga buxheti i shtetit. Pjesa tjetër e parave do të shpërndahet tek partitë e tjera, që kanë mandate parlamentare në Kuvend./ZËRI