
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbajtur sërish edhe sot fjalimin e radhës nga dritarja e banesës së tij. Edhe pse në "arrest shtëpie", kryetari i Partisë Demokratike, Berisha ka vijuar me akuzat ndaj kreut të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani. Këtë të fundit, e ka "pagëzuar" me nofkën "Damani'. Për kreun e SPAK, Berisha tha se po bën gjithçka që të mbrojë kryeministrin Edi Rama, ndërsa shtoi se ka marrë peng edhe gazetarët.
"I them Damanit, ti që vërtitesh në zyrë dhe merr peng gazetarë për të mbrojtur Edi Ramën, po kryen një krim monstruoz duke përjashtuar procudurën. Arben Ahmetaj njoftohet dhe ikën, kurse gjobëvënësi që publikoi faturat, hyn dhe del si ndërlidhës midis dhe Damanit dhe Surrelit. Midis Surrelit dhe Damanit,"-tha Berisha. Por edhe pse nuk e përmendi me emër, duket se e ka fjalën për rastin e gazetarit Elton Qyno, të cilit i janë sekuestruar mjetet e punës, vendim që ka nxitur reagimin edhe të shoqatave ndërkombëtare.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS:
Çfarë bëri Damani i Skapit për të mbrojtur Edi Ramën? Ky kriminel e copëzoi hetimin në dhjetëra hetime e aferës së djegësve. Ky kriminel që është shndërruar në mburojë kryesore të vjedhjes së shekullit, i ndau copë-copë hetimet. Kërkon të paraqesë Kokën për Edi Ramën, kërkon të paraqesë Arben Ahmetajn për Edi Ramën. Bën gjithçka për të mbrojtur Edi Ramën. Damani i Skapit përveç kësaj nuk merret me procedurën, por merret me Taulantin, merret me Simixhiun. Afera 1-miliardëshe sot ka falë Damanit vetëm dy drejtorë të bashkisë të prangosur. Po pse nuk merret Damani? Pse zgjodhi këtë rrugë Damani i Skapit? Zgjodhi këtë rrugë sepse po të merrej me procedurën, të gjitha fijet, të gjitha lidhjet të çojnë te Edi Rama, Agaçi, Erion Veliaj, ministrat. Ja pra se si ky shërbëtor besnik i Edi Ramës shkelmon mbi interesat tuaja, shkelmon mbi taksat tuaja, ndërkohë që fëmijët tuaj ikin dhe marrin rrugët e dheut. Ndërkohë të tjerë kërkojnë ushqim te koshat e plehrave. Damani bëhet mburojë për Edi Ramën, kryeautorin e vjedhjes së shekullit. Miqtë e mi, flakët e inceneratorit po djegin shtetin e mafies. Edi Rama, duhet ta dish se nuk ka Daman që të bën derman. I them Damanit, ti që vërtitesh në zyrë dhe merr peng gazetarë për të mbrojtur Edi Ramën, po kryen një krim monstruoz duke përjashtuar procudurën. Arben Ahmetaj njoftohet dhe ikën, kurse gjobëvënësi që publikoi faturat, hyn dhe del si ndërlidhës midis dhe Damanit dhe Surrelit. Midis Surrelit dhe Damanit. Miqtë e mi, djegësat janë afera e shekullit. Atë do e gjykoni vetëm ju, do e gjykojnë qytetarët shqiptarë. Sepse nëse ne presim që Erion Veliajn ta gjykojë Arben Kraja, ish-kaleci i policisë sekrete të Enver Hoxhës, ne bëhemi qesharakë, ne mashtrojmë./ZËRI