
TIRANË- Manchester City ka njoftuar sot nisjen e punës për hapjen e shkollës së futbollit në Durrës. Sportistët e futbollit anglez do kenë edhe një Akademi futbolli në qytetin bregdetar, teksa pas marrëveshjes së arritur me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve në Shqipëri, puna nga ndërtimi i kampusit stërvitor do fillojë në pranverë.
Kryeministri Edi Rama njoftoi lajmin duke thënë se do jetë "një nga kampuset më të bukur të Cityt në botë".
"Lajm i bukur deklarimi zyrtar i fillimit të rrugëtimit të shkollës së kampionëve të Manchester City-it në Shqipëri. Procesi është gati pas një pune të përbashkët dhe projekti i kampusit është gati gjithashtu. Brenda pranverës do të hapim kantierin në Durrës, ku do të kemi një nga kampuset më të bukur të konstelacionit të Manchester City-it nëpër botë",- thotë Rama.
Me fillimin e punimeve në pranverë, gjithçka pritet të jetë gati në vjeshtën e 2024./ZËRI