Politikë

Berisha në "arrest shtëpie", Bardhi: Padrejtësi!

Në një reagim të bërë në rrjetet e tij sociale, Bardhi shkruan se me izolimin në banesë, Berishës 'defacto' po i cënohet detyra e tij si deputet.

k.m.
Berisha në "arrest shtëpie", Bardhi: Padrejtësi!
Gazment Bardhi

TIRANË- Kryetari i grupit parlamentar në Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me vendimin e GJKKO-së për të vendosur në masën "arrest shtëpie" kryedemokratin Sali Berisha. Në një reagim të bërë në rrjetet e tij sociale, Bardhi shkruan se me izolimin në banesë, Berishës 'defacto' po i cënohet detyra e tij si deputet. Kjo pasi i ndalohet komunikimi dhe përmbushja e veprimtarisë politike. Bardhi e konsideron vendimin abuzim me ligjin, ndërsa edhe njëherë vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e cilëson si të padrejtë.

“Abuzimi me ligjin në këtë rast, duke izoluar Sali Berishën në kushte që nuk aplikohen as për të burgosurit, është qartazi i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe një tejkalim që lë shijen e përndjekjes politike ndaj opozitës. Askush nuk mund të përndiqet politikisht, askush nuk duhet të trajtohet përtej standarteve që lejon ligji dhe janë të nevojshme në një shoqëri me drejtësi dhe barazi. Abuzimi, tejkalimi dhe mungesa e arsyes janë gjithmonë PADREJTËSI!,”-shkruan ndër të tjera Bardhi.

DEKLARATË E KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

Tejkalimi i nevojës, veprimeve të arsyeshme dhe abuzimi me masat shtrënguese kthehet vetvetiu në padrejtësi. Opozita vërtetë nuk ka betejë me drejtësinë, por e kundërta e kësaj duhet të jetë edhe më e zëshme: drejtësia nuk mund të ketë betejë, përtej asaj që dikton ligji, me opozitën. E në këtë drejtim, një deputeti nuk mund ti pezullohet ushtrimi i funksionit, që defacto arrihet nëse atij i ndalohet kumunikimi dhe përmbushja e veprimtarisë politik qoftë edhe në kushte izolimi, sepse këtë nuk e lejon shprehimisht ligji.

Abuzimi me ligjin në këtë rast, duke izoluar Sali Berishën në kushte që nuk aplikohen as për të burgosurit, është qartazi i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe një tejkalim që lë shijen e përndjekjes politike ndaj opozitës. Përndjekja politike ndaj opozitës do ta rradhiste Shqipërinë krah Rusisë, dhe jo krah vendeve të NATO-s apo BE-së. Në një vend anëtar të NATO-s, në një vend kandidat për anëtar të BE-së, cilido duhet të jetë i barabartë përpara ligjit, cilido mund të hetohet dhe nëse rezulton i fajshëm të dënohet.

Por në një vend anëtar të NATO-s, në një vend kandidat për anëtar të BE-së, askush nuk mund të përndiqet politikisht, askush nuk duhet të trajtohet përtej standarteve që lejon ligji dhe janë të nevojshme në një shoqëri me drejtësi dhe barazi. Abuzimi, tejkalimi dhe mungesa e arsyes janë gjithmonë PADREJTËSI!

Gjykata e Posaçme pranoi sot kërkesën e SPAK për shtrëngimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin i dyshuar për kryerjen e veprës penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani. Pasi Berisha nuk e respektoi masën e sigurisë "detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, GJKKO e konvertoi masën në "arrest shtëpie"./ZËRI

Poll

MOS HUMB