
ELBASAN- Kryedemokrati Sali Berisha po prezanton sot kandidatët për deputetë në Elbasan, për zgjedhjet e 11 majit. Por, ky takim është komentuar edhe nga deputeti demokrat Dashnor Sula, i cili u la jashtë listave të PD-së. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka kritikuar këtë takim, duke u shprehur se votat e Primareve u “dogjën”. Sula u shpreh se demokratët të krishterë janë të papërfaqësuar në Elbasan dhe akuzon PD-në se ka “djegur” votat e tyre.
“Kush i përfaqëson demokratët e besimit të krishter në listën e PD në Elbasan?! Zhdukja nga lista e kandidatëve e deputetit që mbështet shtetin ligjor dhe drejtësinë e barabartë për të gjithë. Injorimi i antarësisë së Partisë Demomratike të Elbasanit duke i djegur e bërë hi votatat e tyre në Primare.
Mospërfaqësimi i 6 bashkive nga 7 që ka qarku Elbasanit me kandidatë në listën e kandidatëve për deputetë. Diskriminimi dhe përçmimi që u është bërë Demokratëve dhe votuesve të zonave rurale në Qarkun e Elbasanit duke mos i përfaqësuar me emra në listë të mbyllur, nuk janë të vetme të probleme në listë e kandidatëve të PD për deputetë.
Pyetje për Kryestrategët e Kryemagjistarët që bërën listat e kandidatëve të PD, kush do ti përfaqësojë votuesit demokrat të besimit të krishter në Elbasan pas 11 majit? Deri në fund të këtij mandati i ka përfaqësuar denjësisht, me shumë përkushtim dhe integritet Doktoresha Zheni Gjergji, por pas Shtatorit të këtij viti KUSH?
Përgjigja është: Askush! Kryemagjistarët e listave të PD e kthyen STATUTIN e Partisë demokratike në Letër Bakalli, votat e demokratëve i shnderruan në hi që zhduket pa lënë gjurmë, demokratët e fshatrave i braktisën po ashtu edhe demomratët e komunitetit të Krishterë.
Lista është për primarin jo demokratët", shkruan Sula./ZËRI