Politikë

Berisha sfidë deri në fund Gjykatës! Nuk shkon në seancë ku pritet t’i vendoset arresti

Në një kohë që në seancë vendoset me gjasë masa e arrestit të shtëpisë ndaj tij, Sali Berisha vijon axhendën e tij me takimet me të rinjtë në selinë e PD

E.K
Berisha sfidë deri në fund Gjykatës! Nuk shkon në
Sali Berisha

TIRANË- Do të mbahet sot në Gjykatën e Posaçme, seanca në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, për të cilin SPAK ka kërkuar masën e sigurisë arrest shtëpie.

Vetë Berisha nuk do të jetë i pranishëm në seancën e sotme, pasi në të njëjtën kohë kur duhet të jetë në Gjykatë, ka thirrur një takim me të rinjtë, në selinë e Partisë Demokratike.

Gjykata e Posaçme mori 3 ditë kohë për të thirrur palët në seancë, pas autorizimit që Kuvendi i dha SPAK për ashpërsimin e masës së sigurisë për Berishën. Ky i fundit pritet që të përfaqësohet në seancë përmes avokatëve të tij mbrojtës.

Prej më shumë se dy muajsh, Berisha vijon betejën e tij me drejtësinë, ndërkohë që nuk ka ndërmend që të heqë dorë nga drejtimi i Partisë Demokratike, edhe në rast se për të vendoset masa e arrestit të shtëpisë.

Qëndrimin e përsëriti dhe gjatë një komunikimi që zhvilloi mesditën e djeshme me qytetarët, përmes rrjeteve sociale.

“Në këtë situatë, PD-në do e drejtojë Sali Berisha. Historia e arrestit të liderëve të opozitës nuk është e re, diktaturat e kanë përsëritur dhe kjo po ndodh. Natyrisht kryesia e PD, kryesia e ngushtë e saj, janë organet që do të merren me drejtimin e punëve të saj.

Por kryetari kudo që të jetë, do të përmbushë detyrimet e tij. I gjithë problemi dhe diskursi, po të kesh vënë re mediat e kontrolluara nga qeveria, që nuk kishin preokupim jo vendosjen në arrest të kryetarit të partisë më të madhe politike, por dhe si të thuash, e merrnin një fakt të kryer, për të cilin nuk ka nevojë të komentojë, duke u bërë në njëfarë mënyre de facto mbështetës të këtij akti, por merrnin tani se ç’do ndodhë me PD-në.

Duhet t’u them këtyre zotërinjve se PD do ecë drejt fitores, drejt përmbysjes së diktaturës.

Nuk ka asnjë alternativë tjetër, përkundrazi ky akt vetëm sa bind çdo shqiptar se jemi në kushtet e një diktature, me të cilën nuk duhet të pajtohemi kurrë”, deklaroi dje Berisha nga selia blu.

Kërkesa e SPAK për ashpërsimin e masës së sigurisë për Berishën erdhi për shkak se ai nuk zbatoi vendimin e Gjykatës për t’u paraqitur dy herë në muaj përpara oficeres së policisë gjyqësore.

Kuvendi votoi me 75 vota pro kërkesës së SPAK për arrestimin e Berishës, me votat e socialistëve, ndërkohë që një grup mbështetësit protestuan jashtë godinës së parlamentit.

Më 12 dhjetor në një shkresë drejtuar Kuvendit, SPAK  kërkoi autorizimin për arrestimin e Berishës me argumentin se ish-kryeministri nuk kishte zbatuar vendimin e gjykatës duke mos u paraqitur asnjëherë para oficerit të policisë gjyqësore/hetuesit.

Mbi Berishën rëndon akuza e korrupsionit pasiv në bashkëpunim për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ndërsa GjKKO vendosi masën detyrim paraqitje dhe ndalim jashtë vendit.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB