Politikë

Berisha takim me anëtarët e PD-së: Për shpalljen time “non grata” ishin bërë 150 emisione, ndërsa për 3 rezolutat asnjë

Pasi Gjykata e Posaçme hoqi masën e sigurisë “arrest shtëpie”, Berisha ka zhvilluar takime me anëtarët e degëve të PD-së

I.F

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë takimit me anëtarët e degës 5 të PD-së, shprehu mirënjohjen e tij për qëndrimin që kanë mbajtur gjatë kësaj kohe. Pasi Gjykata e Posaçme hoqi masën e sigurisë “arrest shtëpie”, Berisha ka zhvilluar takime me anëtarët e degëve të PD-së, ku dhe i ka falenderuar për mbështetjen e tyre. Më tej kryedemokrati u shpreh se përsa i përket shpalljes së tij non grata, ai tha se i ishin kushtuar 150 emisione, por asnjë për 3 rezolutat që nuk ekzisojnë në asnjë vend Evropian.

“Çdo gjë, çdo ligësi, çdo fenomen, çdo zhvillim negativ i këtyre viteve në Shqipëri, për të cilat ju keni ngritur zërin në mënyrën më të fuqishme, ja dolëm së bashku t’i stamposim në tre rezolutat më të fuqishme ndërkombëtare që janë miratuar ndonjëherë për Shqipërinë.

Ju e bëtë këtë me sakrifica të mëdha, në protesta të përnatshme dhe të përjavshme. Në kushtet e një censure ndër më të plotat që mund të jetë vendosur në ndonjë vend.

Sot po kërkoja në një nga botët e inteligjencës artificiale.

Çfarë gjeta dhe thashë ta ndaj me ju.

Gjeta që këto media i kishin kushtuar 150 emisione dhe segmente emisionesh shpalljes non grata të Sali Berishës, por nuk i kishin kushtuar asnjë emision 3 rezolutave të cilat nuk ekzistojnë për asnjë shtet tjetër në Europë, si për shtetin shqiptar dhe Shqipërinë. Ua solla këtë shembull se në çfarë kushtesh keni operuar, por keni triumfuar Shumë shpesh bashkërisht kemi bërë thirrje ta varim Erion Veliaj ta varim në shtyllën kombëtare të turpit.

Faktikisht ju e varët atë në shtyllën kombëtare të turpit, e ndrytë atë në sallën e turpit kombëtar. Tani ai është një kufomë e pakallur, por merita është e qytetarëve, e demokrateve dhe demokratëve, që nuk u ndalët për 40 javë dhe i korrespondon si me qenë të 40-tat e Erion Veliajt.

Por ju garantoj unë ju, se pa atë sakrificë tuajën të përjavshme, pa atë protestën tuaj të përjavshme, Erion Veliaj do ishte duke ju thënë qytetarëve të Tiranës, se mbolla 1 mln pemë dhe tani do të vjedh milionin e dytë, nuk do ti hynte ferra në këmbë.

Prandaj dhe ju realizuat objektiva të mëdha me qëndresën tuaj, me protestën tuaj, e bëtë të pamundurën të mundshme”, tha Berisha. /ZËRI

Poll

MOS HUMB