Politikë

Pas debateve, Kuvendi vendos seancë të posaçme për Kosovën në 12 Tetor

Në fundin e mbledhjes së konferencës së kryetarëve u vendos që në datën 12 Tetor, pas një axhende parlamentare me 5 orë debat, të miratohet dhe rezoluta që dënon sulmin në Kosovë, nga terroristët serbë.

E.K
Pas debateve, Kuvendi vendos seancë të posaçme për
Gazment Bardhi dhe Lindita Nikolla

TIRANË- Pas debateve mes përfaqësuesve të PS-së dhe PD-së, Konferenca e Kryetarëve vendosi që Kuvendi të ketë një seancë të posaçme për Kosovën në datën 12 Tetor!  

Partia Demokratike përmes kreut të grupit parlamentar Gazment Bardhi ka kërkuar një seancë urgjente në Kuvend për situatën në veri të Kosovës. Duke marrë si shembull seancën në Parlamentin Europian, Bardhi tha se Kuvendi i Shqipërisë është shumë i vonuar në ndërmarrjen e hapave konkrete për të dënuar sulmin e terroristëve serbë. Debati është duke u zhvilluar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, e cila mbahet me dyer të mbyllura në Kryesinë e Kuvendit.

"Është urgjente që të zhvillojmë mocionin me debat. Nuk mundet ne të jemi të fundit. PE e ka zhvilluar."- tha Bardhi në nisje të mbledhjes, që hasi në kundërshtimin e socialistëve që kanë propozuar që seanca dhe mocioni me debat të bëhen në seancën e datës 15 Tetor.

Diskutimet gjatë mbledhjes:

Nikolla: Propozoj që debati bashkë me rezolutën të bëhen më 19 Tetor

Çuçi: Nuk mund të nxitojmë. Çdo rezolutë duhet të mbajë ndër mend pozicionin e Shqipërisë që ka në NATO dhe në çdo organizëm. Data mund të rishikohet që të jetë më shpejt, ndoshta të enjten e seancës. Por të hënën nuk mund ta bëjmë dot.

Tabaku: Shembullin për rezolutë të përbashkët na e dha Kosova. Nuk e kemi kompleks. Rëndësi ka vullneti, mund ta arrimë edhe të hënën.

Në fundin e mbledhjes së konferencës së kryetarëve u vendos që në datën 12 Tetor, pas një axhende parlamentare me 5 orë debat, të miratohet dhe rezoluta që dënon sulmin në Kosovë, nga terroristët serbë.

Duke folur pas mbledhjes së konferencës së kryetarëve, Bardhi tha se PS njësoj si Kosova duhet të kërkonte një hetim ndërkombëtar në lidhje me sulmin që ndodhi ndaj policisë në Banjskë.

Partia Socialiste ka dorëzuar në Kuvend një rezolutë ku kërkohet të dënohet sulmi që ndodhi ndaj policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Kërkesa që mban emrin e kreut të grupit parlamentar të PS-së Bledi Çuçi, kërkon gjithashtu që Serbia të hapë një hetim transparent për organizuesit e sulmit në Kosovë dhe të dorëzojë kriminelët.

Po ashtu, PS kërkon që KFOR-i të shtojë trupat në veri, njësoj siç deklaroi disa ditë më parë dhe kryeministri Edi Rama. Ky i fundit shkoi edhe më tej, duke kërkuar që KFOR të marrë nën kontroll veriun e Kosovës, deklaratë e cila u prit me kundërshti në Prishtinë, për të cilët rol parësor në sigurinë e jetës së qytetarëve ka pikërisht policia vendase. /Zëri.ai

Poll

MOS HUMB