
TIRANË- Komisioni i Shëndetësisë ka miratuar në parim futjen e oksidit të azotit në listën e lëndëve psikotrope. Me këto ndryshime ligjore pritet ndalimi me ligj i oksidit të azotit si lëndë psikotrope, i cili po përdoret gjerësisht nga të rinjtë. Shëndetësia ka miratuar në parim ndryshimet në ligjin “Për barnat dhe lëndët psikotrope”, ndërsa ditën e nesërme pritet të diskutohen nen për nen.
Ministri i i Brendshëm, Taulant Balla në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, tha se duhen marrë masa parandaluese ndaj drogave sintetike, për t’i mbajtur larg të rinjve, duke e adresuar çështjen në kohë. Balla shprehet se me këto ndryshime ligjore pritet ndalimi me ligj i oksidit të azotit si lëndë psikotrope, e cila konsiderohet një lëndë mjaft e dëmshme për shëndetin, sidomos tek të rinjtë.
“Konfirmohet nga ekspertë të mjekësisë ligjore si një lëndë që sjell shqetësime serioze për shëndetin përfshirë dhe ato neurologjike”, theksoi ai.
Deputeti Tritan Shehu ka votuar kundër ndryshimit të ligjit. Shehu u shpreh dakord që kjo është e paimagjinueshme që të përdoret në rrugë nga të rinjtë “pasi mund të sjellë arrest kardiak. Për këtë jam dakord ta shohim dhe ta diskutojmë. E shoh të domosdoshme”. Por ai tha se projektligji është koperturë për të futur kanabisin në përdorimin farmaceutik.
"Ky është një ligj koperturë për të futur kanabisin në përdorimin mjekësor. Ky është qëllimi i gjithë kësaj historie, ti hapet rrugë kanabisit. Janë 3 fjalë që kam nënvizuar unë këtu. Të tjerat janë "bla,bla,bla". Këto i keni. Është krim kjo që po bëni sot..Është e njëjta gjë me ligjin që kaluat edhe për kanabisin mjekësor,"-u shpreh Shehu.
Ndërkohë debatet nuk kanë munguar as në fillim të mbledhjes të Komisionit për Çështjet Ligjore ku pati përplasje mes deputetëve të opozitës me kryetaren Klotilda Bushka. Deputeti i PD Sajmir Korreshi i është drejtuar Bushkës duke i thënë se kanë shkelur rregulloren me përjashtimin e deputetëve. Nga ana e saj Bushka i ka tërhequr vëmendjen dhe i ka kërkuar që të ruajë etikën.
Debati:
Korreshi: Si mundet të shkelësh kushtetutën dhe të njofton 12 minuta para, nuk më vjen as materiali. Le që Byronë, a jemi një m*t komisioni ligjesh apo çfarë jemi?
Bushka: Kujdes etikën, ta ndërpres fjalën se nuk është çështje procedure.
Korreshi: Fare, do flas…
Bushka: Mendova se do kërkoni falje që një koleg deputet godet me grusht një deputet në Kuvend…
Përveç Korreshit edhe deputeti i PD-së Bledjon Nallbati, i cili qëlloi me grusht një ditë më parë në seancë deputetin e PS Vullnet Sinaj, ka debatuar me kryetaren e Komisionit, Klotilda Bushka. Debati u agravua pasi Bushka i tha Nallbatit se duhet të kërkojë falje për dhunën në Parlament. Gjë që më pas ka sjellë dhe ndërprerjen e mbledhjes.