Delvinë- Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka zhvilluar një vizitë në njësinë administrative Vergo të Delvinës, ku ka takuar nga afër banorët e prekur nga zjarret që përfshinë zonën ditët e fundit. Nga terreni, ajo ka dhënë një deklaratë për mediat, duke theksuar dëmet e mëdha që flakët kanë shkaktuar, kryesisht në agrume, ullinj dhe sektorin e blegtorisë.
“Është një situatë për të ardhur keq, shumë katastrofale. Banorët janë të gjithë të prekur dhe janë pa shpresë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, u shpreh Zhupa, duke i cilësuar dëmet si të jashtëzakonshme.
Deputetja e opozitës i ka bërë thirrje qeverisë dhe bashkisë që të ndërhyjnë menjëherë me ngritjen e një grupi të përbashkët pune mes pushtetit lokal dhe atij qendror për të kryer një evidentim të plotë të dëmeve, shtëpi më shtëpi.
“Evidentimi është i domosdoshëm, por po aq e rëndësishme është edhe dhënia e një dëmshpërblimi të plotë monetar për banorët, në mënyrë që ata të kenë mundësi të rikuperojnë dëmet dhe të vijojnë jetesën në këto fshatra të bekuara nga Zoti, por fatkeqësisht gjithnjë e më të vështira për të jetuar”, theksoi ajo.
Zhupa paralajmëroi se nuk duhet të përsëritet paaftësia e institucioneve që u pa gjatë menaxhimit të zjarreve. “Ne nuk duhet të shohim të njëjtin menaxhim siç ndodhi me përballimin e flakëve. Situata pas zjarreve kërkon reagim të shpejtë dhe efektiv. Banorët kanë nevojë për ndihmë tani, jo më vonë”, shtoi ajo.
Deputetja kërkoi që shteti të qëndrojë në krah të banorëve për t’u dhënë shpresë dhe arsye për të qëndruar në vendin e tyre, duke nënvizuar rrezikun e largimit të tyre në mungesë të përkrahjes institucionale./ZËRI/