
TIRANË- Gunther Krichbaum, Zëdhënësi për Çështjet Europiane të Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag dhe anëtar i Asamblesë Politike të Partisë Popullore Europiane, në një konferencë për mediat në Tiranë, është shprehur se SPAK duhet mbështetur në hetimet për zyrtarët e lartë.
Duke iu referuar masës së sigurisë që është vendosur ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha Krichbaum tha se SPAK është duke bërë punën e tij dhe se deputetët nuk duhet t’iu fshihen hetimet duke shfrytëzua imunitetin që i jep mandati i deputetit.
“SPAK po bën punën e tij, deklaratat për politizimin e SPAK janë absurde. Duhet ta mbrojmë dhe jo ta sulmojmë prokurorinë e posaçme. Imuniteti nuk mbron deputetin por punën e parlamentit. Që do të thotë, në kohën e Gjermanisë naziste, kur deputetët gjermanë u dërguan në burg, nazistët kishin shumicën në parlament. Ndaj është imuniteti. Ai garanton dhe mbron funksionalitetin e parlamentit, por jo të parlamentarëve të veçantë. Imuniteti mund të pezullohet nga autoritetet ligjzbatuese. Këto trajtohen përtej kufijve partiakë, në Gjermani. Kur bëhet fjalë për pikëpyetje të çështjeve të imunitetit, nuk duhen lënë dyshimet. Nuk duhet pranuar një mënyrë tjetër”, deklaroi deputeti gjerman. Nga ana tjetër ai tha se Shqipëria duhet të bëjë më shumë punë me reformat që ka nisur në mënyrë që të përparojë procesi i nisur i integrimit.
“Dua të shprehem shumë qartë. Sa i përket luftës kundër korrupsionit, vijimi është i vetëkuptueshëm. Lufta nuk është qëllim në vetvete. Korrupsioni prek më të varfërit e të varfërve në vend. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë serioze. Nga ana e Budenstagut kjo është çështje që ndiqet me shumë vëmendje. Dua të cek dhe disa nga pikat e veçanta deri sa të kaloj te pyetjet tuaja”, vijoi fjalën e tij ligjvënësi gjerman.
Deputeti i CDU-SCU ka bërë akuza të forta në drejtim të Berishës, teksa deklaroi prerë se nuk do të takojë asnjë politikan që është vendosur nën akuzë nga drejtësia, apo në rastin konkret është shpallur non grata dhe nga SHBA-të.
"Më duhet të them se nuk jam takuar vetëm me Lulzim Bashën, por jam takuar dhe me pjesëtarë të tjerë të Këshillit të Integrimit, si me Jorida Tabakun. Jemi në kontakt me njëri-tjetrin, edhe me përfaqësues të krahut të Berishës kam pasur takime dhe takohem. Më vjen keq që PD është e ndarë në këtë moment. Është me rëndësi dhe aspekti tjetër, botëkuptimi i qeverisë.
Sa i përket zotit Berisha, tani është nën akuzë të fuqishme nga ana e SPAK. Fillimisht për secilin të akuzuar, ekziston prezumimi i pafajësisë, deri sa pafajësia të dëshmohet në gjykatë. Akuzat janë të forta. Këtu bëhet fjalë për procese që përfshijnë prona të caktuara. Amerika e ka shpallur non-grata. Unë do të takohem me njerëz të cilët nuk janë nën akuzë. Nuk bëhet fjalë për krime kavalieriteti, por për akuza penale. Jam jurist për nga formimi, por parimet e shtetit ligjor janë pjesë e formimit të një partie", deklaroi deputeti gjerman.
Krichbaum u pyet nga gazetarët nëse ishte mandatuar për të folur në emër të CDU-CSU, teksa dha këtë përgjigje:
“Është detyra ime që të flas për franksionin e CDU-CSU, por unë njoftoj edhe Partitë Popullore Europiane në cilësinë e zëdhënësit për çështjet europiane”.
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, deputeti gjerman pati një takim dhe me Lulzim Bashën. /Zëri.ai