
TIRANË- Ka dështuar sërish sot mbledhja e Komisionit Hetimor për koncensionet në Shëndetësi, me socialistët që kanë dalë me një qëndrim publik, mbi arsyet që kanë çuar në refuzimin e thirrjes së kryetares Albana Vokshi. Mbledhja ishte parashikuar që të mbahet sot në orën 13 e 30. Ndërkohë që edhe dy ditë më parë u përsërit e njëjta skenë, me socialistët që bojkotuan mbledhjen.
Sipas socialiatëve, Vokshi po tenton që të përçojë në Komisionin Hetimor frymën e imponimit, paragjykimit, duke e shndërruar procesin partiak dhe joligjor. Ndërkohë që demokratët ishin paraqitur në mbledhjen e Komisionit, ku Albana Vokshi akuzoi kolegët e saj socialistë, se po bllokojnë qëllimisht punimet. Sipas Vokshit, socialistët nuk duan zbardhjen e aferave në shëndetësi.
“Rregullorja i ka dhënë një instrument opozitës për të thirrur mbledhjes dhe kur mazhoranca nuk do. Neni përcakton se nëse mazhoranca nuk dëshiron, ¼ mund ta caktojnë bashkë me orën dhe rendin e ditës.
Me firmat e shtatë deputetëve, para dy ditësh, njoftuam mbledhjen sot. Por siç e shikoni, për herë të dytë radhazi, pa asnjë arsye nuk janë paraqitur, duke vazhduar në vazhdën e shkeljeve të rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës
Para se të mblidheshim bisedova me Ndrecën, për rregullore të posaçme, por është refuzuar me arsyetimin se kur është miratuar ligji që punimet e komisioneve do të vijojnë sipas rregullores së Kuvendit
Pse mazhoranca refuzon? Sepse Ramës nuk i intereson që ky komision të nisë punimet. Nuk erdhën në mbledhjen e 4 sepse nuk duan hetim dhe transparencë për vjedhjen e 200 milionë eurove.
Kemi mbledhur firmat për mbledhjen e radhës të martën në 10:30.
Për të mos pritur deputetët e PS ne kemi firmosur 40 a më shumë shkresa dhe do t’i kërkojmë Kuvendit që tua adresojë institucioneve të ndryshme. Do t’i kërkoja institucioneve që në momentin që marrin shkresa, të kthejnë përgjigje, dhe të mos bien pre e presionit, por të ndihmojnë në zbardhjen e kësaj skeme korruptive.
I jemi drejtuar Kryeministrisë me një shkresë, KLSH me dy shkresa për auditimet, Ministrisë së Financave dhe asaj të Shëndetësisë, për paketën e dokumenteve që disponojnë.
Gjithashtu i jemi adresuar, ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiut dhe Drejtorit të Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor përsa i përket fondeve dhe se ku gjendet baza e të dhënave dhe laboratorët e përcaktuar për Check-Up, se ku janë ndërtuar”, tha Vokshi.
QENDRIMI I PS
Të nderuar kolegë, përfaqësues të 1/3 së anëtarëve të Komisionit Hetimor “Lidhur me Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Chek-up në Shëndetësi”, u njohëm me shkresën Tuaj të datës 03.04.2024.
1.Konstatojmë me keqardhje, se edhe nëpërmjet kësaj shkrese, ashtu si edhe ne seancat e mbledhjes së komisionit, po tentoni të injektoni frymën e imponimit, paragjykimit dhe nxitimit për të realizuar një proçes partiak politik e jo një “proces të rregullt ligjor”, bazuar mbi vlera e parime kushtetuese.
2.Nëpërmjet shkresës Tuaj kuptojmë, që nuk po ecni në shtratin ligjor të funksionimit të një organi kolegjial dhe posaçërisht Komisionit Hetimor i cili ka një rregullim të posaçëm.
3.Referuar nenit 13 të ligjit 8891, datë 02.05.2002 “Për Organizmin dhe Funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit” mbledhja e një komisioni hetimor që të konsiderohet e vlefshme kërkohet prezenca e 50+1 e anëtarëve të komisionit. Si rrjedhojë Kryetarja e komisionit, përpara se të thërras një mbledhje duhet të sigurohet për prezencën e kourumit të kërkuar, për vlefshmërinë e mbledhje. E për ta siguruar këtë kourum, duhet të komunikojë me “shumicën e komisionit” për të kordinuar datën, orën, vendin dhe rendin e ditës së mbledhjes pasardhëse. Sigurisht që një gjë e tillë nuk realizohet me njoftime të njëanshme, që nuk kanë objektiv mirëfunksionimin dhe eficencën e punës së komisionit, por realizimin e shfaqjes mediatike të radhës, në funksion të agjendave partiake dhe jo atyre institucionale e kushtetuese.
4.Referuar shkresës Nr.1231 prot datë 03.04.2024 të nënshkruar nga 1/3 e anëtarëve të këtij Komisioni, pretendohet se anëtarët e maxhorancës kanë refuzuar të diskutonin pikën 4 të rendit të ditës që lidhej me “kërkesat për informacion”. Fakti që ngatërroni edhe pikat e rendit të ditës, është tregues tjetër i seriozitetit insitucional me të cilin trajtoni punën e komisionit. Pika 4 e rendit te ditës ishte “caktimi i mbledhjes pasardhëse”, që Kryetarja e komisionit refuzoi ta merrte në shqyrtim, për të dakortësuar me anëtarët prezent mbledhjen e ardhshme.
5.Pika 3 e rendit të ditës, nuk u miratua nga ana e komisionit, pasi neni 15 i ligjit Nr.8891 datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit” përcakton qartazi procedurën që duhet ndjekur për zhvillimin e veprimtarisë normale të Komisioneve Hetimore parlamentare, nën frymën e Kushtetutës dhe ligjit të posaçëm. Komisioni mbledh të dhëna për çështjen nëpërmjet ekspertëve ligjorë të zgjedhur dhe vetëm ekspertët ligjorë kanë tagrin t’ia raportojnë gjetjet e tyre Komisionit si dhe propozojnë planin e hetimeve.
6.Ndërkohë që sic rezulton nga shkresa Juaj keni kërkuar për diskutim të njëjtën çështje për të cilën Komisioni ka marrë vendim.
7.Deri në hartimin e këtij plani hetimor, Komisioni nuk ka arsye të mbidhet apo të vijojë me shqyrtimin e pikave të tjera në rend dite.
8.Komisioni me vendim të ndërmjetëm miraton planin e hetimeve sipas propozimeve të ekspertëve deri në përfundimin e tyre. Plani i hetimeve përmban gjithë hapat proceduralë, veprimet hetimore që do të ndiqen nga komisioni për hetimin e çështjes, si dhe rrethin e personave që do të thirren. Pra vetëm pas miratimit të planit të hetimit të propozuar nga ekspertët, Komisioni deklaron fillimin e hetimeve dhe nuk mundet që kryetari i Komisionit Hetimor të paraqesë një plan të gatshëm hetimi pa u shprehur ekspertët, sipas procedurës që përcakton ligji specifik.
9.Në shkresën e sipërcituar, 1/3 e anëtarëve të Komisionit Hetimor të Kuvendit për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimin Publik të Check-up në Shëndetësi, ka përcaktuar në mënyrë të njëanshme mbledhjen e radhës së komisionit për në datën 05.04.2024 si dhe rendin e ditës, bazuar në nenin 32.2 të Rregullores së Kuvendit, që referon tek mbledhjet e komisioneve të përhershme parlamentare, jo tek komisionet hetimore parlamentare.
10.Bazuar në gjithë argumentimet e mësipërme, lind nevoja që jo vetëm datat e mbledhjeve të radhës, por edhe oraret e zhvillimit të tyre, vëndi i zhvillimit dhe rendi i ditës, të vendosen me mirëkuptim mes palëve , për të patur mbledhje të vlefshme të komisionit hetimor.
11.Njëkohësisht Ju bëjmë me dije, që ekspertët e propozuar nga ana jonë dhe të miratuar nga Komisioni, kanë filluar nga puna dhe po hartojnë një plan hetimi, që do i nënshtrohet më pas vendimarrjes në komision. Do ishtë në përputhje me frymën e ligjit që ekspertët e të dy palëve të kodinonin me njëri tjetrin për të realizuar një plan hetimi konsensual. Në momentin që ekspertët kanë realizuar planin e hetimit ne do kërkojmë mbledhjen e Komisionit për të miratuar këtë plan, si hapi procedurial i rradhës i parashikuar nga ligji 8891.
12.Duam t’Ju informojmë gjithashtu se nga ana e kryetares së Komisionit, në shkelje të plotë të detyrimeve të saj, nuk është depozituar në sekretarinë e komisionit, asnjë dokument i relatuar dhe diskutuar në mbledhjet e Komisionit, përfshirë këtu edhe deklaratat e konfliktit të interesit, që me aq pasion u valviten publikisht në mbledhjen e fundit. Dokumentacioni i cili relatohet dhe diskutohet në mbledhjet e komisionit, duhet depozituar në sekretarinë e tij, për tu njohur nga ana e ekspertëve tanë dhe konsideruar si i administruar zyrtarisht nga Komisioni, në të kundërt ai dokumentacion konsiderohet i pavlefshëm për efekt të punës së Komisionit.
13.Së fundi kërkojmë vëmendjen Tuaj në ndalimin e praktikës së përdorimit të logos dhe protokollit të Komisionit, sa kohë shkresa nuk është si pasojë e vendimarrjes së Tij. Vetëm shkresat e miratuara me vendim në mbledhje komisioni dalin me logon dhe protokollin e Komisionit. Komisioni Hetimor nuk është as 1/3, as 1/2 dhe as 2/3 e tij, por vendimarrja kolegjiale e vlefshme e tij.
Duke shpresuar mirëkuptimin Tuaj ligjor në mes kolegësh Ju përshëndesim! Anëtarët përfaqësues të shumicës në komision!
/ZËRI