Politikë

“Ku do ti gjesh votat?”, Manja krenar për kalimin e amnistisë: U pa qartë kush bëri politikë me hallexhinjtë

Manja falenderon qeverinë për mbështetjen e dhënë, si dhe të gjithë deputetët që votuan pro amnistisë

E.K
“Ku do ti gjesh votat?”, Manja krenar për kalimin e
Ulsi Manja

TIRANË- Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ka reaguar pas kalimit të amnistisë penale në seancën e djeshme në Kuvend, pas një dakordësie me bazë të gjerë me grupin e Rithemelimit. Manja shprehet falenderues për deputetët e të gjitha grupimeve, që arritën të ruajnë traditën parlamentare për kalimin e amnistisë me marrëveshje të gjerë, ndërkohë që fton institucionet të zbatojnë pa vonesë vendimin e Kuvendit. Nga amnistia pritet që të përfitojnë lirinë 700 të dënua, kryesisht për vepra të lehta penale, ndërsa qindra të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi.

Postimi i Manjës:

Dje, Kuvendi i Shqipërisë votoi ligjin e amnistisë penale! E kam paralajmëruar qysh në fillim të këtij sesioni parlamentar se amnistia do të kalonte me mbi 100 vota. Kur gazetarët e nderuar më kanë pyetur në oborrin e Kuvendit të Shqipërisë se "ku do ti gjesh votat", jam përgjigjur me bindje se votat janë brenda kësaj salle dhe kam drejtuar gishtin nga salla e seancave plenare. Si Ministër Drejtësie, kam propozuar ligjin në qeveri me shpresën për të marrë të njëjtën mbështetje edhe në parlament nga deputetët e të gjitha prurjeve politike.

Dëshiroja të ruhej tradita e mirë që ka dominuar në atë sallë, sa herë ka patur votime për amnistinë penale përtej llogoreve politike e të mos isha unë "sebepçiu" i prishjes së kësaj tradite të mirë, nga të paktat që është ruajtuar në atë sallë, nga ajo lloj politike e kulture balte që ka mbjellë ajo sallë në sytë e shqiptarëve. Gjithashtu, dëshiroja që puna e ekspertëve të cilët punuan me draftin e amnistisë të respektohej dhe të ishte larg çdo ndikimi politik, për të siguruar një akt mëshire për ata që kanë rënë në konflikt me ligjin penal, siç ua ka garantuar Kushtetuta dhe ligji.

Dje, kjo ndodhi në Kuvendin e Shqipërisë! Amnistia mori 116 vota pro në parim, ruajtëm traditën e mirë të asaj salle dhe votuam një produkt ligjor të punuar nga ekspertë të fushës! Por, asaj salle sigurisht që nuk do t'i mungojnë kulisaxhinjtë politikë dhe shpirtzinjtë e lindur që shohin "djallin" edhe aty ku humanizmi e mëshira janë qëllimi i vetëm i një ligji amnistie!

Dje, u pa qartë kush e përdori votën për qëllimet e ligjit dhe kush e përdori për politikë. Të bësh politikë me hallin e tjetrit është gjëja më e ulët për një qënie humane që në vend të zemrës një zot e di se çfarë ka!

Si Ministër Drejtësie, sot ndihem krenar, që me durim dhe këmbëngulje, 116 ligjvënës votuam ligjin e amnistisë që kaluam në qeveri me zero përfitim për subjektet e SPAK dhe GJKKO!

Ndaj, sot e ndjej për detyrë të falenderoj kolegët e mi në qeveri dhe parlament që më dhanë besimin e tyre dhe më mbështetën deri në fund, pa u lëkundur në asnjë moment me votën e tyre, deputetët e opozitës që bashkuan votën me ne dhe mediat për sensibilizimin e secilit prej nesh për domosdoshmërinë e bërjes së amnistisë pas një mungese për më shumë se 4 vjet nga amnistia e fundit e vitit 2020.

Tani, u takon atyre që ngarkon ligji ta zbatojnë me korrektësi dhe pa vonesë këtë amnisti të shumëpritur dhe ndoshta të vetmen të kaq shumë debatuar politikisht e mediatikisht!

Gjithsesi, mirënjohje pafund për këdo që e mbështeti këtë akt humanizmi, që asesi nuk do të jetë e fundit për atë sallë!

/ZËRI

Poll

MOS HUMB