Politikë

Dështon sërish mbledhja për Zgjedhoren, Gjiknuri dhe socialistët largohen: Nuk jemi për t’u përleshur

Në sallë munguan sot dy deputetët e opozitës Gazment Bardhi dhe Flamur Noka, të cilët janë përjashtuar nga Kuvendi për 10 ditë

E.K
Dështon sërish mbledhja për Zgjedhoren, Gjiknuri dhe
Deshton mbledhja per Zgjedhoren

TIRANË- Ka dështuar edhe sot mbledhja e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, për shkak se një pjesë e deputetëve të opozitës bllokuan sallën. Socialistët me në krye Damian Gjiknurin u shprehën se nuk kishin ndërmend që të përlesheshin dhe u larguan nga salla.

“Ne nuk jemi këtu për t’u përleshur”, u shpreh Gjiknuri, para se të dilnin nga salla. 

Në sallë munguan sot dy deputetët e opozitës Gazment Bardhi dhe Flamur Noka, të cilët janë përjashtuar nga Kuvendi për 10 ditë. Ndërkohë që edhe sot në këtë mbledhje munguan përfaqësuesit e grupimit të Lulzim Bashës, me në krye Enkelejd Alibeajn, për të shmangur përballjen me kolegët dhe kundërshtarët e tyre në opozitë. Deputeti Ervin Salianji akuzoi mazhorancën se po bën teatër me Reformën, dhe se nuk ka asnjë interes për hartimin e saj me praninë e të gjitha palëve.

“Ishte një teatër tjetër i përfaqësuesve të mazhorancës, pavarësisht se 7 deputetët e Bashës kishin pranuar pjesëmarrjen dhe më pas nuk erdhën. Praktikisht thanë qartë se do të përpiqen që të blejnë zgjedhjet, kjo është tallja e përditshme që bëhet me qytetarët”, u shpreh shkurtimisht Salianji.

Grupimi Berisha-Bardhi i kërkuan dje përmes një letre, kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla dhe për dijeni ambasadorëve të QUINT-it, që të ndryshohet përbërja e Komisionit të Posaçëm për Rëformën Zgjedhore. Sipas tyre është jo e drejtë, që grupimi i Lulzim Bashës që ka vetëm 7 deputetë, të ketë 3 anëtarë në Komision, ndërkohë që pjesa dërrmuese e opozitës të mbetet e papërfaqësuar.

Prej kohësh palët në opozitë janë në përplasje mes tyre për postin e bashkëkryetarit të Komisionit për Reformën Zgjedhore, ku kërkojnë zëvendësimin e Enkelejd Alibeajt me Oerd Bylykbashin.

Partia Demokratike e Lulzim Bashës ka bërë publike disa propozime për Reformën Zgjedhore, që janë listat e hapura, sistemi propocional kombëtar, si dhe votën e diasporës. Ndërkohë që Rithemelimi kërkon që Reforma Zgjedhore të nisë nga zhbërja e ndryshimeve Kushtetuese të vitit 2020. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB