
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha u pyet nga gazetari i ZËRI, Edon Kuqi nëse ka një ftohje në marrëdhëniet e tij me drejtuesit e Partisë së Lirisë, në lidhje me përballjen që ata kanë pranë Prokurorisë së Posaçme. Berisha tha se opozita qëndron e bashkuar, pavarësisht përndjekjes nga gjyqësori, me urdhër të Edi Ramës sipas tij. Sipas Berishës në rast se Kryemadhit i është sekuestruar celulari i saj nga ana e SPAK, ky është një akt i paligjshëm.
ZËRI: Spak kërkoi për ju ndryshimin e masës dhe ka paraqitur kërkesë në parlament për heqjen e imunitetit. Për këtë pershkallzim, PL (Meta dhe Kryemadhi) nuk kane pasur asnjë prononcim.
Ndërkohë është bërë publike se vetë Kryemadhit SPAK i ka sekuestruar disa materiale dhe ndërkohë është në hetim e madje pritet që të ketë një kërkesë të ngjashme për heqjen e imunitetit.
Edhe ju nuk jeni prononcuar për këtë zhvillim. A ka ftohje mes jush dhe PL? Ose të paktën, a po përballeni me SPAK jo si Opozitë e Bashkuar por sipas parimit “secili për hall të vet”?
Berisha: Së pari nuk kanë kërkuar heqjen e imunitetit, kanë kërkuar përligjen e aktit të tyre antikushtetues. Ta morën një vendim në shkelje të Kushtetutës, që nuk e zbatova vetëm e vetëm për të mbrojtur Kuvendin dhe Kushtetutën. Atyre iu mbetej që ti kërkonin Kuvendit të korrigjonin gabimin, tani kërkojnë ashpërsimin e masës ndaj meje. Është një përpjekje për të legjitimuar aktin e tyre antikushtetues.
Kjo tregon që ata janë një, kur prokuroria, Kuvendi, qeveria, janë të gjitha në dorën e kryeministrit. Unë nuk mund të bija pre e antikushtetueshmërisë së tyre. Cilido të jetë vendimi i Kuvendit unë do ta zbatoj. Lidhur me Partinë e Lirisë, që të gjitha këto janë përndjekje e opozitës nga Edi Rama, se si mund ti kontrollohet korrespondenca e një deputeti pa një vendim të Kuvendit?
Ata duhet ti merrnin leje Parlamentit, por ata nuk i marrin, sikundër për heqjen e lirisë që më bën mua, për të dalë jashtë vendit. Është proces i persekutimit, nuk ka asnjë ftohje mes nesh, jemi në sinfoni.
/ZËRI