
ITALI- Pak orë para vizitës së kryeministres Giorgia Meloni në Shqipëri, një pjesë e deputetëve të qendrës së djathtë në Itali, kanë reaguar në lidhje me emisionin Report në Rai 3, që e portretizonte Shqipërinë si një narkoshtet. Letra e 11 deputetëve italianë, i është drejtuar ambasadores shqiptare në Itali, Anil Bitri Lani, ku i është shprehur solidariteti me kryeministrin shqiptar. Deputetët italianë janë pjesë e Unionit Parlamentar Itali-Shqipëri.
Deputetët që kanë firmosur letrën
On. Antonio Baldelli – Membro del Gruppo FdI
On. Simone Billi – Membro del Gruppo Lega
On. Salvatore Caiata – Membro del Gruppo FdI
Sen. Gian Marco Centinaio - Membro del Gruppo Lega
On. Ciro Maschio – Membro del Gruppo FdI
On. Mariangela Matera – Membro del Gruppo FdI
Sen. Filippo Melchiorre – Membro del Gruppo FdI
On. Roberto Pella – Membro del Gruppo FI-Ppe
On. Catia Polidori – Membro del Gruppo FI-Ppe
Sen. Giulio Terzi di Sant’Agata – Membro del Gruppo FdI
On. Alessandro Urzì – Membro del Gruppo FdI
"Në nëntë vite, me pesë kryeministra të ndryshëm, askush në Itali nuk ka ngritur kundërshti ndaj kryeministrit Rama apo bashkëpunëtorëve të tij.
Por duke qenë se kreu i qeverisë shqiptare ka treguar se dëshiron të vazhdojë një bashkëpunim të frytshëm me Italinë dhe qeverinë e saj, edhe pse nuk drejtohet apo mbështetet më nga Partia Demokratike, anëtare e së njëjtës familje europiane të Partisë Socialiste Shqiptare që Rama ka kryesuar që nga viti 2005, filluan sulmet.
Pas shpalljes së marrëveshjes Itali-Shqipëri për menaxhimin e emigrantëve, Partia Demokratike njoftoi edhe kërkesën për përjashtimin e partisë së drejtuar nga Edi Rama nga Partia Socialiste Europiane. Kërkesa përfundoi në nul sepse ka shtete të qeverisura nga anëtarë të PSE në mesin e atyre që janë të interesuar për aktivizimin e marrëveshjeve të ngjashme. Tani, në momentin delikat parazgjedhor, gjashtë ditë para votimit, vjen një reportazh televiziv nga Report, i cili e përshkruan kryeministrin e Shqipërisë si mik të kriminelëve dhe bosëve.
Përballë kësaj, dëshirojmë të shprehim solidaritetin tonë të thellë me popullin shqiptar, për kryeministrin dhe për institucionet e tij demokratike, të cilat disa nuk hezitojnë t'i denigrojnë, duke dëmtuar Italinë në nivel ndërkombëtar.
Është veçanërisht e turpshme për kombin tonë që kjo të ndodhë përmes shërbimit të televizionit publik që paguhet nga taksapaguesit” shkruhet në letrën e hapur.
"Nga ana jonë, si anëtarë të marrëveshjes dypalëshe midis dy kombeve tona brenda Bashkimit Ndërparlamentar, falenderojmë kryeministrin dhe Ambasadoren për ndihmën e ofruar nga Shqipëria për Italinë, pavarësisht nga ngjyra politike e qeverisë së saj, e cila ne besojmë se interpreton frymë më autentike bashkëpunimi mes dy popujve shumë të afërt gjeografikisht, madje edhe më të ngushtë në miqësi", vijon letra e deputetëve.