Politikë

Dorëhiqet kryebashkiakja e Himarës, Blerina Bala. Të premten caktohet pasuesi

Argumenti që ka përdorur për të justifikuar vendimin e dorëheqjes së saj, ka lidhje me jetën e saj personale që e pengojnë në realizimin e detyrës.

k.m.
Dorëhiqet kryebashkiakja e Himarës, Blerina Bala. Të premten
Blerina Bala

HIMARË- Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Himarës, Blerina Bala ka dhënë dorëheqjen nga posti që ka marrë vetëm pak muaj më parë si pasardhëse e Jorgo Goros. Argumenti që ka përdorur për të justifikuar vendimin e dorëheqjes së saj, ka lidhje me jetën e saj personale që e pengojnë në realizimin e detyrës. Në letrën e dorëheqjes, Bala shkruan se ka punuar me përkushtim, por gjithashtu shton se ka qenë një periudhë e vështirë.

"Për shkaqe personale që kërkojnë kohën dhe vëmendjen time të plotë, me keqardhje ju njoftoj pamundësinë time për të vazhduar detyrën e Kryetares së Bashkisë Himarë që mu besua dhe nga Këshilli Bashkiak Himarë,"-shkruan ajo ndër të tjera, por pa dhënë detaje.

LETRA E DORËHEQJES:

Të nderuar banorë të Himarës!

Të nderuar anëtar të Këshillit Bashkiak Himarë! Ndjehem e nderuar dhe e privilegjuar që mu dha mundësia të drejtoja Bashkinë Himarë për këtë periudhë aq sa të vështirë dhe të mrekullueshme për mua. Gjatë kësaj kohe jam përpjekur të punoj me përkushtim dhe e palëkundur, për të trajtuar dhe zgjidhur çështjet që janë paraqitur para meje. Sidoqoftë për shkaqe personale që kërkojnë kohën dhe vëmendjen time të plotë, me keqardhje ju njoftoj pamundësinë time për të vazhduar detyrën e Kryetares së Bashkisë Himarë që mu besua dhe nga Këshilli Bashkiak Himarë. Me këtë letër, sot zyrtarisht paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozicioni i Kryetares së Bashkisë Himarë. Dua të shpreh falenderimet dhe mirënjohjen më të thellë stafit të Bashkisë Himarë, Këshillit Bashkiak Himarë dhe cdo banori të Himarës për mbështetjen dhe për vlerat njerëzore që kemi ndarë gjatë kësaj periudhe. Përulësisht kërkoj të pranoni mirënjohjen time të sinqertë, për bashkëpunimin dhe për cdo gjë që kemi arritur së bashku.

Tashmë sipas ligjit për funksionimin e pushtetit vendor, do të jetë sërish Këshilli Bashkiak i Himarës që do të mblidhet për të votuar edhe njëherë për të zgjedhur një tjetër kryetar të komanduar. Aktualisht, emri që po qarkullon në radhët e socialistëve është Arqile Bollano, por edhe Perivan Gjikuria, i cili "garoi" edhe kundër Balës. Megjithatë, pritet mbledhja e të premtes për të zbuluar se cili prej të dyve do të jetë "i komanduari" i radhës në Himarë.

Bala u emërua në postin e ri 3 muaj më parë. Bala mori 15 vota në Këshillin Bashkiak, nga 13 anëtarë që janë gjithsej në listën e socialistëve. Mbledhja u shoqërua me tensione pasi një pjesë e mbështetësve të Fredi Belerit kërkuan largimin nga mbledhja të Vangjel Tavos, dhe Blendi Klosi, ndërsa punimet u zhvendosën në një prej zyrave të bashkisë, dhe votimi i Balajt u bë me dyer të mbylluyra. Komandimi i Balajt në postin e kryetares së Bashkisë erdhi pas arrestimit të Jorgo Goros, i cili më pas dha dorëheqjen nga ambientet e paraburgimit ku ndodhet në Tiranë./ZËRI

Poll

MOS HUMB