
KUKËS- Kryeministri Edi Rama ka reaguar për rezultatin e deritanishëm të kutive të votimit në Kukës, që nxjerrin dukshëm fitues kandidatin e Partisë Socialiste Albert Halilaj. Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se besimi që qytetarët e Kukësit i kanë dhënë Partisë Socialiste, duhet të përkthehet në më shumë punë nga qeveria për këtë qytet.
Diferenca mes kandidatëve kur janë numëruar më shumë se gjysma e kutive të votimit,është më shumë se 3 mijë vota, dhe trendi vijon të jetë rritës.
“Kur janë numëruar pak më shumë se gjysma e kutive të votimit, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Kukësit ka një avantazh të pakthyeshëm prej thuajse 3000 votash, i cili do të thellohet ende deri në kurorëzimin e një fitoreje shembullore, që flet qartë për besimin dhe për pritshmërinë e qytetarëve kuksianë ndaj nesh, si edhe për detyrimin tonë të madh ndaj tyre, për të bërë shumë më shumë akoma për Kukësin!
FALEMINDERIT KUKËS, FALEMINDERIT TË GJITHËVE”, shkruan Rama në postimin e tij në rrjetet sociale.
Në zgjedhjet e ditës së djeshme në Kukës u vu re një pjesëmarrje më e ulët e qytetarëve në raport me zgjedhjet e 14 Majit, ku u konfirmua Safet Gjici për një mandat të dytë përballë mjekut Admir Sinamati.
Procesi zgjedhor ishte i qetë, pavarësisht pretendimeve nga ana e opozitës për përfshirjen në fushatë dhe më pas në ditën e zgjedhjeve të administratës dhe drejtuesve të institucioneve të ndryshme.
Zgjedhjet e pjesshme në Kukës u mbajtën pas arrestimit të Safet Gjicit nën akuzën e korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës.
Safet Gjici, i cili arriti të fitonte zgjedhjet e 14 Majit, me një diferencë 2 mijë votash në raport me Admir Sinamatin, u vu në prangat e policisë në 24 Qershor, rreth një javë nga publikimi i një videoje erotike, ku ai kryente marrëdhënie seksuale brenda në ambientet e zyrës së tij.
Prej asaj kohe ai ndodhet pas hekurave nën akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, pasi i kishte premtuar Alma Kaçit fitimin e një tenderi për rehabilitimin e qenve, në këmbim të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të. /Zëri.ai