
TIRANË- Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me Asambletë të Partisë Socialiste me njësitë 8, 9 dhe 11 ka folur për drejtësinë e re dhe mangësitë që ka sistemi i drejtësisë. Rasma është shprehur se drejtësia përveç pavarësisë së saj duhet të peshojë faktet. Kryeministri tha se qëllimi është që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe brezat që do të vijnë të kenë një drejtësi të pavarur.
“Ne jemi partia politike, e para forcë me pushtet në Shqipëri që i kemi heq pushtetit politik duart nga drejtësia, sepse kemi dashur që më në fund Shqipëria të futet në sprovën e një drejtësie të pavarur që nuk e ka pasur kurrë dhe që të kemi një drejtësi të pavarur që të luftojë me hajdutët edhe brenda nesh.
Qëllimi jonë nuk ka qenë asnjëherë se si të mbajmë pushtetin dhe si të mbulojmë njëri tjetrin dhe të përsërisim me fytyra të tjera të njëjtën histori. Qëllimi jonë të bëjmë histori duke e bërë Shqipërinë anëtare të BE dhe t’i japim shans brezave që vijnë mbrapa të kenë një drejtësi ta pavarur.
Nuk ka patur kurrë që një njeri me pushtet të hetohet e të gjykohet e lërë më pastaj të behet telenovelë në të gjitha mediat edhe të linçohet në një rast pa gjyq duke qenë i zgjedhur. Në këtë proces ka gjëra që nuk shkojnë fare po në 5 vjet kemi shtrënguar dhëmbët dhe kemi mbyll gojën për të garantuar pavarësinë e drejtësisë. Ama nuk mjafton vetëm pavarësia, duhet edhe profesionalizmi dhe standardi demokratik.
Drejtësia duhet të jetë e verbër në kuptimin kush është më i gjatë e kush është më i shkurtër kush e ka statusin social më të lartë, kush është akuzuesi e kush është i akuzuar. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe në peshore vihen provat. Shpatën sot drejtësia e ka sepse në ia dhamë. Ne nuk kemi shpatë, drejtësia ka shpatë, por duhet edhe peshorja duhen edhe sytë e mbuluar”, tha Rama./ZËRI