Politikë

Fati i PD-së/ Shtyhet seanca për kërkesën e Bashës, Rithemelimi e ka çuar në Gjykatën e Lartë

Palët shkuan në Gjykatën e Lartë, pasi Apeli ktheu përsëri çështjen në shkallë të parë, ku Berisha kishte arritur të regjistronte vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit 2021

E.K
Fati i PD-së/ Shtyhet seanca për kërkesën e Bashës,
Sali Berisha dhe Lulzim Basha

TIRANË- Në Gjykatën e Tiranës është shqyrtuar sot kërkesa e Lulzim Bashës për të regjistruar ndryshimet statutore të bëra në Kuvendin Kombëtar të 2 shtatorit. PD-ja e Rithemelimit është thirrur nga gjykata për t’u dëgjuar si palë në këtë proces. Gjykata ka vendosur shtyrjen e seancës në datën 25 Tetor, pas përplasjes mes palëve nëse duhet të ishin apo jo pjesë e procesit. 

Përmes një kërkese, PD-ja e Rithemelimit i kërkoi gjykatës pezullim të kësaj çështjeje dhe mosregjistrim të ndryshimeve statutore. Sipas këtij grupimi, nuk mund të ketë regjistrime shtesë, pa u zgjidhur çështja në themel se kujt i përket “vula”, çështje që pret gjykimin në Gjykatën e Lartë.

A2 CNN iu drejtua, disa ditë më parë, hallkës më të lartë të gjyqësorit për të mësuar më shumë rreth rekursit të bërë më 24 maj nga Rithemelimi, i cili kërkon të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, ku vula i mbeti Sali Berishës.

“Kjo çështje, për shkak të objektit që ka, “Rekurs(Prishje Rigjykim)” hyn te çështjet për të cilat gjykata investohet me procedurë të përshpejtuar. Për këtë arsye, por edhe për shkak të natyrës sensitive që ajo mbart, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë ju bën me dije se ajo do të shqyrtohet shumë shpejt, në Dhomë Këshillimi”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Lartë.

Palët shkuan në Gjykatën e Lartë, pasi Apeli ktheu përsëri çështjen në shkallë të parë, ku Berisha kishte arritur të regjistronte vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit 2021, përmes të cilave rimerrte kontrollin e Partisë Demokratike, duke larguar Lulzim Bashën dhe lidershipin e tij.

Sipas Apelit, Gjykata e Shkallës së Parë duhej të kishte pranuar si palë në proces edhe grupin e Bashës, ndaj pa hyrë në themel të çështjes, kërkoi rigjykimin e saj. Kundër këtij vendimi të Apelit, Rithemelimi i Berishës iu drejtua Gjykatës së Lartë, me bindjen se gjithsesi nuk do të gjejë zgjidhje.

Poll

MOS HUMB