
TIRANË- Me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, të gjithë efektivët, duhet të plotësojnë një formular për vetëdeklarimin e tyre, nëse kanë pasur apo jo kontakte me persona të lidhur me krimin.
Duke folur për gazetarët pas një aktiviteti, ministri Balla tha se mjafton një veprim i gabuar nga një punonjës policie për të zhbërë gjithë arritjet e organizatës së policies, ndërsa tha se të gjithë ata që gënjejnë në plotësimin e formularit për kontakte me persona të papërshtatshëm, do të kapen në grackë.
Sipas Ballës, synimi është që Policia e Shtetit të kthehet në institucionin më të besueshëm të qytetarëve.
“Do të bëjmë gjithçka që ka të bëjë me synimin tonë themelor, të garantojmë që çdo qytetar shqiptar të ketë besim tek Policia e Shtetit. Dhe forcimi i këtij besimi lidhet me përpjekjet tona për të çuar më tej procesin e vetëpastrimit të policisë, ka të bëjë me përpjekjet tona për të garantuar paga më të mira për punonjësit e policisë, por dhe punonjësit e policisë duhet të kuptojnë që gjithçka i kemi kërkuar që lidhet me zbatimin e kodit etik, mjafton një komunikim jo i përshtashëm për t’i shkaktuar organizatës së Policisë së Shtetit një dëm të parikuperueshëm dhe gjithçka lidhet me imazhin e Shqipërisë tonë. Janë 14 milionë të huaj që vizitojnë Shqipërinë.
Mjafton një sjellje e keqe për të shkatërruar gjithë punën që bëhet nga ana e organizatës së Policisë së Shtetit. Rezultatet e deritanishme të Policisë së Shtetit janë rezultate që meritojnë respekt. Por jemi shumë larg ende asaj që duam të jemi si objektiv për ta çuar Policinë e Shtetit si institucioni më i besuar në vend. Ata që gënjejnë do t’i kapi çarku”, u shpreh ministri i Brendshëm Taulant Balla. /ZËRI