Politikë

Rama viziton sot Kosovën, takohet me Osmanin, por jo me Kurtin

Rama viziton Kosovën me ftesë të presidentes Osmani, ndërsa Kurti nuk është pjesë e axhendës

E.K
Rama viziton sot Kosovën, takohet me Osmanin, por jo me Kurtin
Edi rama dhe vjosa osmani

TIRANË- Kreu i qeverisë Edi Rama do të jetë sot në Kosovë, në kuadër të organizimeve për 25 vjetorin e çlirimit të vendit.

Gjatë vizitës së tij, kryeministri Edi Rama u prit në një takim kokë më kokë nga presidentja e vendit Vjosa Osmani, teksa nuk ka në agjendë një takim me homologun Kurti.

Më pas, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, dedikuar këtij përvjetori, që mbahet në nderim të trashëgimisë politike të Presidentit Rugova, si dhe të vendeve aleate, të cilat patën një rol thelbësor gjatë viteve të luftës në Kosovë.

Në vijim të agjendës, Kryeministri Rama do të mikpritet nga Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, ku në një ceremoni të posaçme do të nderohet me Çelësin e Qytetit.

Ndër të tjera, Rama do të marrë pjesë edhe në çeljen e ekspozitës së veçantë “Reporting House”, një retrospektivë e fuqishme e mediave gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ku përmes artefakteve të gazetarëve dhe veprave të artistëve, vizitorët do të njihen me historinë e luftës së viteve 1998-1999 dhe ndikimin e saj në dekadat që pasuan.

Ndërkohë mediat në Kosovë, kanë publikuar dhe axhendën e plotë të aktiviteteve të presidentes Osmani:

Agjenda e aktiviteteve të Presidentes Osmani në nder të 25 vjetorit të çlirimit (10 qershor 2024)

Në orën 08:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Në orën 09:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim z. Tony Blair, ish-Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar.

Pas përfundimit të takimit, Presidentja Osmani dhe z. Blair do të deklarohen për media.

Në orën 16:00, Presidentja merr pjesë në shënimin e 146 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB