Politikë

Gazetarët u ndaluan të raportojnë nga Kuvendi, Garda: Kërkojmë mirëkuptim

Me justifikimin se ka ndryshuar rregullorja, nuk u lejua që t'u drejtohej mikrofoni asnjë prej deputetëve apo dhe ministrave. Pasi gazetarët kërkuan marrjen e masave për mospengimin në punën e tyre, Garda në reagimin e saj nënvizon se ka kërkuar mirëkuptim nga ana e mediave, duke theksuar se qëllimi i tyre ishte shmangia e incidenteve.

k.m.
Gazetarët u ndaluan të raportojnë nga Kuvendi, Garda:
Foto ilustruese

TIRANË- Garda e Republikës ka bllokuar gazetarët që të kryenin detyrën e tyre. Përveçse të ndalnin aktet e opozitës në Kuvend, në shënjestër duket se kanë pasur edhe raportuesit nga terreni, të cilëve u kishin përgatitur një "perimetër sigurie" nga i cili nuk mund të lëviznin. Me justifikimin se ka ndryshuar rregullorja, nuk u lejua që t'u drejtohej mikrofoni asnjë prej deputetëve apo dhe ministrave. Gazetarët e pranishëm, treguan se në kushte të tilla e kishin të pamundur për të ushtruar detyrën e tyre, ndaj sot përpiluan edhe një letër, të cilën e kanë depozituar pranë institucionit të Gardës së Republikës. Por gjithashtu shkresa i ka shkuar edhe kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikollës, por edhe përfaqësive të ambasadave të SHBA dhe BE në vendin tonë.

GAZETARËT KËRKOJNË:

-Lejimin e çdo operatori mediatik të qëndrojë/lëvizë lirshëm pa asnjë kufizim në të gjitha ambientet e jashtme të oborrit të godinës ku zhvillohen seancat plenare.

-Lejimin e gazetarëve të marrin intervista pa pengesa në pjesën e jashtme të godinës, pa ndërhyrjen e Gardës së Republikës.

-Lejimin e punonjësve të medias të dalin lirshëm nga të gjitha portat e institucionit, duke ruajtur të pandryshueshme hyrjen vetëm nga porta kryesore e kontrollit.

-Të ruhet një gjuhë e përmbajtur dhe jo provokuese nga punonjësit e Gardës, të cilët mund të komunikojnë me gazetarët dhe operatorët vetëm përmes zyrës së shtypit të Kuvendit.

-Të lejohen gazetarët të hyjnë në Kryesinë e Kuvendit 10 minuta përpara orarit zyrtart të njoftuar për zhvillimin e një komisionit, në mënyrë që të dëshmojmë kuorumin, dinamikat dhe arsyet e zhvillimit ose jo të një mbledhjeje të tillë.

Lënda: Kërkesë për ndërhyrje në normalizimin e sjelljes së shërbimit të Gardës së Republikës në Kuvendin e Shqipërisë ndaj medias

Drejtuar:
Znj. Lindita NIKOLLA - Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë
Z. Taulant BALLA – Ministër i Brendshëm
Z. Gramos SAKO – Drejtor i Përgjithshëm i Gardës së Republikës

Në vëmendje të:
Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Delegacionit të Bashkimit Evropian

Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar

Prezencës në Shqipëri të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE

Të nderuar, Duke ju uruar punë të mbarë, ne, Komuniteti i Reporterëve të Politikës, kërkojmë të ndajmë me ju një problematikë të hasur prej kohësh, por që së fundmi, është bërë edhe më shqetësuese dhe ka vështirësuar ushtrimin e rolit tonë gjatë zhvillimit të seancave plenare dhe mbledhjeve të komisioneve parlamentare. Ne kemi vënë re një shtim të numrit të punonjësve të Gardës që monitorojnë oborrin e godinës ku zhvillohen seancat plenare, të cilët: -Angazhohen për të dhënë urdhra arbitrarë ndaj punonjësve të medias, duke mos na lejuar lirshëm të bëjmë xhirime, raportime apo intervista, akte këto në kundërshtim me rregulloren e masmedias që ka Kuvendi i Shqipërisë dhe këtë e bëjnë duke ushtruar edhe forcën fizike ndaj gazetarëve dhe operatorëve. -Punonjës të ndryshëm të Gardës kanë mendime të ndryshme për vendin ku duhet të rrinë gazetarët dhe kameramanët, duke urdhëruar zhvendosje të pajustifikuara. -Pengojnë gazetarët të marrin prononcime lirshëm dhe në lëvizje në pjesën e jashtme të godinës. -Pengohet hyrja në kohë e gazetarëve në Komisionet Parlamentare, duke mos na lejuar të dokumentojmë ngjarjet, qoftë këtu edhe dështimin e komisioneve apo aksionet në korridoret e Kuvendit. Të gjitha këto, krijojnë konflikte dhe tensione të panevojshme gjatë thuajse çdo seance plenare apo të punimeve të komisioneve për të cilat vazhdimisht është vënë në dijeni zyra e shtypit e Kuvendit. Për sa më sipër, për të shmangur keqkuptimet e mëtejshme, lutemi ndërhyrjen nga ana Juaj, për qartësimin e punonjësve të Gardës dhe të funksionarëve të Kuvendit të Shqipërisë që të garantojnë sigurinë e gjithsecilit pa cënuar punën e medias. Ne, punonjësit e medias, hyjmë vetëm nga porta kryesore dhe i nënshtrohemi kontrollit fizik dhe automjetet edhe kontrollit të specializuar me qen. Është fakt se në asnjë rast, nuk është krijuar ndonjë problem nga punonjësit e medias të cilët të kenë rrezikuar sigurinë e ligjvënësve.

Ndaj, në përfundim, kërkojmë: -Lejimin e çdo operatori mediatik të qëndrojë/lëvizë lirshëm pa asnjë kufizim në të gjitha ambientet e jashtme të oborrit të godinës ku zhvillohen seancat plenare. -Lejimin e gazetarëve të marrin intervista pa pengesa në pjesën e jashtme të godinës, pa ndërhyrjen e Gardës së Republikës. -Lejimin e punonjësve të medias të dalin lirshëm nga të gjitha portat e institucionit, duke ruajtur të pandryshueshme hyrjen vetëm nga porta kryesore e kontrollit. -Të ruhet një gjuhë e përmbajtur dhe jo provokuese nga punonjësit e Gardës, të cilët mund të komunikojnë me gazetarët dhe operatorët vetëm përmes zyrës së shtypit të Kuvendit. -Të lejohen gazetarët të hyjnë në Kryesinë e Kuvendit 10 minuta përpara orarit zyrtart të njoftuar për zhvillimin e një komisionit, në mënyrë që të dëshmojmë kuorumin, dinamikat dhe arsyet e zhvillimit ose jo të një mbledhjeje të tillë.

Lidhur me situatën e krijuar, reagoi edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili e dënoi aktin e sotëm.

Bardhi: Bllokimi i Gardës së Republikës fillimisht ndaj opozitës dhe sot ndaj medias e gazetarëve në krye të detyrës është jo thjesht i papranueshëm, por treguesi më domethënës i degradimit të regjimit të Edi Ramës. Duke dënuar aktin e sotëm të paprecedentë të sulmit ndaj gazetarëve, siguroj që nuk ka Gardë e Polici që mund të mbajë në këmbë një regjim të kalbur nga krimi dhe korrupsioni.

Pasi përmes një letre drejtuar kompetentëve, gazetarët kërkuan marrjen e masave për mospengimin në punën e tyre, një reagim ka ardhur edhe nga Garda e Republikës, e cila ka sqaruar në lidhje me incidentin sot në Kuvend. Garda ka kërkuar mirëkuptim nga ana e mediave, duke theksuar se qëllimi i tyre ishte shmangia e incidenteve. 

Reagimi i Gardës:

Nisur nga reagimi publik i Komunitetit të Reporterëve të Politikës gjatë ditës së sotme, mbi një incident të ndodhur në oborrin e godinës ku mbahen seancat parlamentare, Garda e Republikës kërkon mirëkuptimin e medias dhe publikut në tërësi, nëse për shkak të zbatimit rigoroz të masave për sigurinë dhe mbarëvajtjen e punimeve në Kuvend, mund të jenë bërë pengesë në mënyrë të padëshiruar për përmbushjen e detyrave dhe misionit të tyre. Në analizë të situatës së krijuar sot, drejtuesit e Gardës kanë tërhequr vëmendjen e Shërbimeve pranë Parlamentit, për të shmangur incidente të ngjashme. Media mbetet një partner i rëndësishëm për garantimin e transparencës, informimin e publikut, e në këtë frymë bashkëpunimi të konsoliduar, Garda e Republikës garanton se do të ketë gjithë angazhimin për krijimin e kushteve optimale për to, për funksionalitetin dhe mbarëvajtjen e punimeve në sallën plenare apo Komisionet parlamentare.

Poll

MOS HUMB