
TIRANË- Kryeministri Edi Rama, ministrja Belinda Balluku, dhe një pjesë e kabinetit qeveritar, kanë qenë të pranishëm sot në Durrës, ku u hap gara për ndërtimin e Portit të Ri në Porto Romano. Sipas Ramës, porti është një projektet më të rëndësishme strategjike, që i shërben edhe rajonit, si dhe fluksit gjithnjë e më në rritje të kapaciteteve përpunuese.
“Ky është një moment kuptimplotë për ne dhe mua personalisht. Kur ne themi që do të bëjmë këtë apo të, kur bëhet fjalë për projekte të tilla, nga e thëna në të bërë është një det i tërë. Projektet nuk nisin në momentet kur publikohen si sot, në formën e thirrjes kur shprehet interesi nga kompanitë. Nisin kur fillon procesi i krijimit të grupit të ekspertëve, i oponencës, është një histori gjithmonë më e gjatë sesa dëshira dhe sesa limitet e durimit. Qytetarët dëgjojnë dhe presin, durimi nuk është ndër virtytet e shqiptarëve, është një nga mallrat më të rrallë. Është mirëkuptueshme për shqiptarët sepse kanë pritur shumë, shekuj që të bëjnë zgjedhjen e tyre. Kanë jetuar nën zgjeda që kanë ardhur si rezultat e i zgjedhjes së të tjerëve për ta. Shqiptarët jetojnë me zgjedhjen e tyre. Kanë zgjedhur që ky vend të bëhet pjesë e familjes së tyre.
E shkuara është barrë e madhe, si porti i Durrësit në qendër të qytetit, një plagë mjedisore, fizike, që ka bërë në vazhdimësi dëm të madh, por edhe një pagë në aspektin socio ekonomik. Gjithë ajo rrëmujë ka qenë një zonë e errët e veprimtarive të paligjshme dhe kriminale. Largimi nga qendra dhe vendosja këtu tërësisht me një tipologji me pëmasa të reja, është hapja e kapitullit të ri të qytetit dhe historinë e sigurisë sonë kombëtare. Ky projekt ka garanci të mëdha, një prej kompanive më të shkëlqyera që ka bota, kompani e krijuar në vitin 1881 nga dy gentleman holandez. Në vitin 1981, ka mbushur 100 vjet dhe ka marrë nga mbreti apo mbretëresha e kohës, nga kurora mbretërore, edhe titullin mbretëror. Ka sjellë mundësinë të kemi një nga mjeshtrat më mbresëlënës të gjithë botës së inxhinierisë, që është Eriku që foli pak më parë.
Deti ka shumë specie, më e frikshme është peshkaqeni, kompanitë që ndërtojnë porte, janë peshkaqenët e tokës. Ne kemi 5 kompani të listuara si më të mëdhatë në botë, që tregon se çfarë interesi ka ky port. Të gjithë në fund do dalin të fituar dhe të lumtur.
Ky port do të impaktojë sigurinë tonë, duke i ofruar NATO-s një bazë të re ushtarake me parametra optimale. Ky port që ndërtohet nga e para, është një port i ri në Europë pas shumë e shumë dekadash. Ne kemi fatin që duke qenë në fund të kësaj kolone të gjatë, të marrim përfitimin e dijeve ndër vite, të kemi një port që do të jetë shembull ekselence.
Ky port do të lidhë tregtinë me pjesën tjetër të rajonit dhe më gjerë, përmes hekuruadhave që do ndërtohen në Prishtinë dhe Strugë, do të orientojë shumë flukse tregtare. Porti do të sjellë punësim cilësor të mirëpaguar”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, u shpreh se porti i ri do t’i shërbejë të gjithë rajonit.
“Një vit i veçantë për infrastrukturën. Viti që do të vijë do të jetë akoma më i rëndësishëm, para se të mbarojë 2024, do të dorëzojmë dhe projektin e aeroportit të Vlorës, Unaza e Madhe e Tiranës, që do të lidhë të gjitha autostradat e vendit me kryeqytetin dhe Tuneli i Murrizit. 31 dhjetori 2024 do të jetë përmbushja e shumë ëndrrave.
Sot, çelja e garës është një nga momentet më të veçanta, e kemi quajtur porti i shqiptarëve, se do i shërbejë edhe Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, i lidhur nëpërmjet hekurudhës me Prishtinën dhe Strugën. Duket si një rrugë e lehtë dhe një rezultat që do të vijë shpejt, por sot këtu kurorëzohen katër vite punë intensive, nga një grup ekspertësh që arrijnë deri në 100. Janë mbi 420 mijë orë pune, një mal me analiza dhe studime, po t’i shtrinim këto letra A4 në bregdetin shqiptar, nuk do të mjaftonte. Ky interes na nderon dhe na ve në kushtet e një përgjegjësie të mëdha.
Duam të ndërtojmë një port dyfish më të thellë, për t’i shërbyer të gjithë rajonit, duam të ndërtojmë një terminal kontejnerësh tre fish më të madh, sipërfaqe të dedikuara për entet ligjzbatuese, në infrastrukturë detare që hedh bazat për një zhvillim të mëtejshëm, duam të ngremë një insfrastrukturë për bazën detare. Durrësi dhe Porto Romano janë anët e së njëjtës medalje.
Nëse dikur na paragjykonin, flitej për 3D, por ka ca muaj që nuk e dëgjojmë më. Në kushtet kur një investim i këtyre përmasave është risi, nevojitet një ekspertizë ndërkombëtare në procesin e tenderimit, ndaj kemi vendosur të kemi në krah konsulentët e Royal Haskoning”, tha Balluku gjatë fjalës së saj./ZËRI