
TIRANË- Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha është i gatshëm që të paraqitet në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nëse do të thirret për të dëshmuar për çështjen e "21 janarit". Gjatë një konference për shtyp nga selia e partisë së tij, Basha u shpreh se është i gatshëm për të dëshmuar sa herë që të kërkohet nga SPAK. Ndërkohë që sa i përket akuzave të presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, Basha u shpreh se përgjigjen ia dha ditën e djeshme.
PJESË NGA KONFERENCA E BASHËS:
Akuzat e Metës për "21 janarin"...
Basha: Po të merremi me mashtrimet e tij, duhet që dita të ketë 48 orë. Por dita nuk ka 48 orë, ka vetëm 24, përgjigjen e ka marrë të plotë dje me shkrim.
Tashmë që SPAK po riheton ngjarjen, nëse thirreni nga SPAK, a do të paraqiteni?
Basha: Pa diskutim!
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha. Ky i fundit në një reagim pas regjistrimit të çështjes në Prokurorinë e Posaçme, dha një koment për mediat, duke thënë se nuk ka urdhëruar pushkatimin e asnjë protestuesi. Por deri më tani, kryedemokrati Sali Berisha, i cili do ta ketë çështjen e dytë në SPAK, deri më tani nuk ka bërë asnjë koment./ZËRI