
TROPOJË- Bashkia e Tropojës, e fituar nga socialistët për herë të parë në vitin 2019, duket se do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për shkak të arrestimit të kryetarit dhe nënkryetarit me urdhër të SPAK. Prokuroria e Posaçme njoftoi dje lëshimin e masës së sigurisë “Arrest shtëpie” për Rexhë Byberin dhe zëvendësin e tij Abedin Kërnaja, për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Sipas SPAK, dyshohet se paligjshmëritë për të cilat akuzohen kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi dhe zëvendësi i tij, kanë të bëjnë me hapjen e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga këshilli bashkiak.
Konkretisht, janë evidentuar punime në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore për rrugët “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules” dhe “Qafë Murrizi –Qafë Agri”. Një njoftimin e Prokurorisë së Posaçme thuhej se për nisjen dhe kryerjen e punimeve, në këto dy akse rrugore, duhej të aplikohej në sistemin elektronik ‘e-leje’, pranë Bashkisë Tropojë, si institucion vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi, për këto lloj punimesh. Po ashtu, sipas SPAK, Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës, konkretisht me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, për nevojën e hartimit të Raportit të Vlerësimit të ndikimit në mjedis, të bashkëvepronte me ministrinë e linjës për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit.
“Nga kryerja e aktit të ekspertimit ka rezultuar se hapja e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi duke sjellë një dëm prej 277. 611.520 (dyqind e shtatëdhjetë e shtatë milion e gjashtëqind e njëmbëdhjetë mijë e pesëqind e njëzet) Lekë”, citohet në njoftim.
Bazuar në këto rezultate të hetimit paraprak, SPAK ka kërkuar caktimin e masave të sigurimit personal “arrest në shtëpi” për dy të hetuarit Rexhe Byberi dhe Abedin Kërnajën, kërkesë që është pranuar nga gjykata respektive. Më herët, Byberi është denoncuar nga opozita dhe për ndërtimin e njjë fabrike betoni nga një i afërmi i tij në kundërshtim me ligjin.
Me arrestimin e Byberit dhe Kërnajës, në krye të Bashkisë së Tropojë lind vakanca për drejtuesin, që mbetet për t’u parë nëse do të ketë një skenar me zvarritje si ai i Bashkisë së Himarës, apo qyteti verior i Shqipërisë do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Rexhë Byberi u zgjodh kryetar i Bashkisë Tropojë fillimisht në zgjedhjet pa garë të vitit 2019. Më parë ai kishte qenë për 15 vjet kryetar i Komunës Margegaj për llogari të Partisë Demokratike, por si kryetar i Bashkisë Tropojë është zgjedhur nën siglën e Partisë Socialiste./ZËRI