
TIRANË- Ish-kryebashkiaku i Pogradecit, Eduard Kapri është parë sot që të futet sërish në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ende nuk dihen detaje lidhur me arsyen e thirrjes së tij në SPAK, por pritet që më shumë detaje t'i zbulojë vetë pasi të dalë nga takimi me hetuesit.
Vitin e shkuar, Kapri akuzohej nga SPAK për abuzim me tendera, por GJKKO në vendimin e saj e ka shpallur ish-kryebashkiakun demokrat të pafajshëm. GJKKO vendosi që Kapri dhe 5 vartësit e tij Avdulla Cano, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torra, Gurali Blaceri dhe Safet Blaceri të shpallen të pafajshëm. SPAK vendimin e GJKKO e ka ankimuar në Apelin e Posaçëm. Prokuroria kërkon dënimin e tij me burg, por gjithashtu edhe heqje e të drejtës për të ushtruar funksione publike.
Ish-kryebashkiaku akuzohej nga SPAK për abuzim me tenderin për blerjen e druve të zjarrit me vlerë 9.2 mln lekë në vitin 2017, kur Kapri drejtonte Bashkinë e Pogradecit. Por për këtë çështje, SPAK i ka mbyllur hetimet edhe pse fillimisht e akuzonte Kaprin se në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Cano abuzuan me tenderin me vlerë 9.2 milion lekë për blerje dru zjarri në vitin 2017, duke favorizuar një prej kompanive që garonte./ZËRI