TIRANË- Komisioni Evropian publikoi sot Raportin për Sundimin e Ligjit 2026, në të cilin evidenton progresin e Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës dhe konsolidimin e reformës në drejtësi, si pjesë e procesit të integrimit evropian.
Raporti vlerëson përfundimin e plotë të procesit të rivlerësimit kalimtar (vettingut), duke theksuar se ai ka forcuar pavarësinë, integritetin dhe llogaridhënien e sistemit të drejtësisë. Gjithashtu, raporti konstaton vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi dhe përparimin në integrimin e standardeve të krijuara nga vettingu në funksionimin e zakonshëm të institucioneve të drejtësisë.
Raporti vëren gjithashtu përmirësime të mëtejshme në efikasitetin e sistemit gjyqësor, duke evidentuar uljen e ndjeshme të backlog-ut në Gjykatën e Lartë, përmirësimin e cilësisë së formimit të magjistratëve dhe vijimin e hapave drejt modernizimit dhe digjitalizimit të sistemit të drejtësisë.
Një tjetër tregues pozitiv i evidentuar është rritja e perceptimit për pavarësinë e gjyqësorit, si nga qytetarët ashtu edhe nga komuniteti i biznesit, duke reflektuar besim në rritje ndaj institucioneve të drejtësisë.
Megjithatë, raporti thotë se kanë vazhduar përpjekjet për ndikim të padrejtë në institucionet e drejtësisë.
Mes tyre përmenden edhe sulmet personale ndaj magjistratëve, përfshirë edhe Strukturën e Posaçme. Sipas raportit, 8 magjistratë janë vendosur nën mbrojtje, konkretisht: dy gjyqtarë e gjashtë prokurorë, ndër ta edhe prokurorë të SPAK dhe ish-kreu i KLP-së.
Duke sjellë rastin e vrasjes së gjyqtarit Kalaja në sallën e gjyqit, raporti thotë se po bëhen përpjekje për të rritur sigurinë në gjykata, por ende ka punë për t’u bërë.
Ndërsa u ndalur tek klima politike, Komisioni Europian thekson se polarizimi politik vazhdon të ndikojë negativisht në funksionimin e punës parlamentare, duke evidentuar se opozita thirri edhe disa protesta të dhunshme.
Komisioni Europian ka ngritur shqetësime për nivelin e ekspozimit ndaj korrupsionit. Sipas KE-së disa fusha vijojnë të mbeten veçanërisht të prekshme.
Sipas dokumentit, sektorët me rrezikun më të lartë të korrupsionit janë shëndetësia, arsimi, prokurimi publik, partneritetet publike-private, organet ligjzbatuese, prona, administrata tatimore dhe doganat.
“Disa sektorë vazhdojnë të konsiderohen veçanërisht të ekspozuar ndaj korrupsionit, në veçanti shëndetësia, arsimi, prokurimi publik, partneritetet publike-private, organet ligjzbatuese, prona, administrata tatimore dhe doganat”, thotë KE, ndërsa evidenton mungesë transparence, veçanërisht sa i përket dhënies së statusit të investitorit strategjik.