Politikë

"O Gono, e shite apo s’e shite atë të shkretën vilë?" Balla i publikoi videon, Shehaj: Ke filmuar shtëpinë ku jeton gruaja e fëmijët e mi

Debati lidhet kryesisht me vilën në Itali, për të cilën, Shehaj ka deklaruar se është shitur për 15 milionë euro.

zh.ll
"O Gono, e shite apo s’e shite atë të shkretën
balla-shehaj

TIRANË- Replikat në distancë mes kreut të Grupit të PS-së, Taulant Balla dhe kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, nuk ndalen, teksa në fokus qëndron pasuria e këtij të fundit. Debati lidhet kryesisht me vilën në Itali, për të cilën, Shehaj ka deklaruar se është shitur për 15 milionë euro.

Në një postim të fundit në rrjete sociale, Balla ka publikuar një video ku shfaqet një vilë me vendndodhje në Itali, ku me tone ironie i kërkon sqarime Shehajt, lidhur me pronën e tij atje. Balla ngre pikëpyetje mbi statusin e pronës, duke aluduar për mospërputhje në deklarimet e bëra nga Shehaj.

“O Gono, ku je mo burrë? E shite apo s’e shite atë të shkretën vilë? A është 250, 498, 359? E ke shitur vjet në shtator apo është akoma e jotja? Se mos e nxjerr Kadastra e Italisë që është ende e jotja, se na merr në qafë pastaj. Shihi këto letrat dhe sqaroje pak këtë punë. Dakord, Gono?”, shprehet Balla në video.

Nuk ka vonuar edhe përgjigjia e Shehaj, i cili akuzon Ballën se ka publikuar të dhëna për vendndodhjen e banesës në Itali ku jetojnë bashkëshortja dhe fëmijët e tij.

Në reagimin e tij, Shehaj pretendon se publikimi i këtyre të dhënave është bërë me urdhër të kryeministrit Edi Rama dhe e cilësoi atë si një përpjekje për intimidim politik, duke shtuar se nuk do të tërhiqet pavarësisht këtyre sulmeve. 

“Sot Edi Rama ka dërguar Taulant Ballën tek shtëpia ime, ka filmuar shtëpinë ku jetojnë fëmijët e mi, bashkëshortja ime, kur kalojnë verën, me adresë, duke ia bërë me gisht: këtu janë!”. Pse e bën Edi Rama këtë? Sepse është i dëshpëruar, por një gjë ta kesh të qartë: Ne nuk ndalemi! Nuk na trembni dot, as me filmime dhe as me Taulant-a, as me krimin as me oligarkët, as me mediat tuaja të cilat i financoni me paratë e qytetarëve shqiptarë”, shprehet Shehaj në video. 

Çështja e pasurisë së Shehaj është sjellë në vëmendje edhe në dy seancat e fundit të Kuvendit nga kreu i Grupit të PS-së, Taulant Blla, i cili i kërkoi publikisht kreut të Partisë Mundësia që të japë shpjegime për një transaksion të deklaruar në pasurinë e tij, ku thuhet se ka shitur një pronë me sipërfaqe totale 251 metra katrorë për vlerën 15 milionë euro.

Pas diskutimeve dhe reagimeve që pësuan, reagoi edhe vetë kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i cili mohoi akuzat duke theksuar se pasuria e tij është ndërtuar me punë të pastër dhe është e deklaruar në institucionet përkatëse. 

Sipas deklaratës së ndryshimit të pasurisë të depozituar nga Shehaj, në shtator të vitit të kaluar, ai ka deklaruar shitjen e një pasurie të paluajtshme në Itali, të përbërë nga truall dhe ndërtesë me sipërfaqe totale 251 metra katrorë, me vlerë 15 milionë euro. Kjo shumë ka ngritur pikëpyetje për shkak të diferencës së dukshme me çmimet e zakonshme të tregut për prona të ngjashme./ZËRI

Poll

MOS HUMB