
TIRANË-Partia Socialiste ka propozuar emrat për anëtarët e saj në Komisionin e posaçëm për dezinformimin. Erion Braçe është emri i propozuar nga socialistët, për të qenë kryetar i këtij komisioni. Ndërkaq emrat e tjerë për anëtarë janë: Bledi Çuçi, Mimi Kodheli Pandeli Majko, Enslemvera Zake dhe Etilda Gjonaj. Pas propozimeve të grupeve parlamentare për anëtarët përbërës, pritet miratimi i tyre edhe nga Kuvendi.
Kujtojmë se më herët kryeparlamentarja, Lindita Nikolla u kërkoi grupeve parlamentare që të dorëzonin propozimet e tyre mbi anëtarët e komisionit që pritet të përbëhet nga 11 anëtarë, 6 prej tyre nga mazhoranca ndërsa 5 të tjerë nga opozita, konkretisht 3 të grupit parlamentar të PD, 1 nga “Aleanca për Ndryshim” kryesuar nga Agron Duka dhe 1 tjetër nga grupi parlamentar “Demokraci dhe Integrim”, kryesuar nga Mesila Doda.
Komisioni i Dezinformimit do të luftojë informacionin e rremë dhe ndikimet e shteteve të huaja jo miqësore, duke përdorur median, teknologjinë dhe paratë e errëta në fushata zgjedhore. Të gjitha institucionet përfshirë edhe ato të pavarura, si organet e drejtësisë, do të jenë të detyruara të japin çdo informacion apo dokument të kërkuar nga komisioni i posaçëm kundër keqinformimit. Përveç 11 anëtarëve, në përbërje të Komisionit do të jetë edhe një grup ekspertësh nga institucionet kryesore të sigurisë dhe medias./ZËRI