
TIRANË- Ngrihet Komisioni për Dezinformimin! Kanë mjaftuar vetëm 73 vota të socialistëve për të ngritur Komisionin e Posaçëm, ndërsa nga të pranishmit, vetëm 7 deputetët të opozitës kanë ngritur kartonin e kuq. Megjithatë kaq ka mjaftuar për të dhënë "ok" për ngritjen e Komisionit. Kundër në sallë dolën edhe deputetet Jorida Tabaku dhe Flutura Açka. Madje kjo e fundit u shpreh se ligji do të përdorej për të kontrolluar mediat.
"Deri tani nuk më është informuar asnjë rast dizinformimit. Në nëntor të 2023 kaluam në Komision disa rregullime të ligjit të ri të AMA-s ku janë përfshirë dhe çështje të dizinformimit. Nga na doli ky komision katër vite më vonë nga vendimi i BE-së. Kam arsye të besoj mos ky komision ka një arsye të heshtur dhe të fshehtë që ne nuk e kuptojmë. Nxitimi me të cilat i sjellim këto komisione, mungesa e raporteve të plota të shpjegimit se përse është e rëndësishme ky komision?! Mos koordinimi me organizatat dhe aktorët dhe faktorët mediatik për këto çështje. Nuk jam kundër këtij komisioni apo që ne ta eksplorojmë këtë që ndodh në Shqipëri por, ti thuash shqiptarëve që këtu ka dezinformimin. Nëse ka një popull pro-amerikan dhe pro-evropian janë pikërisht shqiptarët dhe ti po i thua atyre që këtu po hynë rusi apo hynë kinezi dhe po bënë ç’të dojë. Kjo është një gënjeshtër shumë e madhe por mbivendos punën e shumë komisioneve të tjerë. Ky komision si qëllim mund ta ketë të mirë sepse duket se është i ambalazhuar bukur por, qëllimi mund të jetë shumë i mbrapsht kur mendon se jemi një vit zgjedhor. Ky komision do jetë një gjueti shtrigash për pronar të caktuar apo rrjete mediale të caktuar dhe do jetë një komision për dhënien e informacionit të mbrapsht nga qeveria,"-tha Açka.
Komisioni i Dezinformimit do të luftojë informacionin e rremë dhe ndikimet e shteteve të huaja jo miqësore, duke përdorur median, teknologjinë dhe paratë e errëta në fushata zgjedhore. Të gjitha institucionet përfshirë edhe ato të pavarura, si organet e drejtësisë, do të jenë të detyruara të japin çdo informacion apo dokument të kërkuar nga komisioni i posaçëm kundër keqinformimit. Përveç 13 anëtarëve, në përbërje të Komisionit do të jetë edhe një grup ekspertësh nga institucionet kryesore të sigurisë dhe medias./ZËRI